
Një ngjarje që shkaktoi shqetësim te familjarët e tij dhe u bë lajm në mbrëmjen e djeshme ka marrë zgjidhje gjatë natës. Ish-zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, u kthye në banesën e tij pak orë pasi ishte denoncuar si i zhdukur.
Shima u tha policëve: “Nuk kam asnjë pretendim”. Familjarët e tij kishin paraqitur kallëzim në komisariatin nr.1 në Tiranë rreth orës 17:00, pasi nuk kishin më kontakt me të.
AKSHI është institucioni publik që merret me zhvillimin dhe menaxhimin e sistemeve dixhitale të shtetit, shërbimet online për qytetarët e bizneset, si edhe sigurinë e sistemeve të informacionit. Daniel Shima ka shërbyer si zv.drejtor i këtij institucioni për katër vite, duke qenë i përfshirë edhe në proceset e prokurimeve publike. Pas largimit nga detyra një vit më parë, ai është angazhuar në biznes privat.
Gjithashtu, 34-vjeçari ka qenë i pyetur nga SPAK në lidhje me tenderat e AKSHI-t, çka ka shtuar interesin publik për figurën e tij.
Pavarësisht alarmit të ngritur nga familjarët, kthimi i tij në banesë dhe deklarata e qetë për policinë kanë mbyllur për momentin çdo dyshim apo skenar tjetër rreth zhdukjes së përkohshme.