
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Hamallaj, ku 28-vjeçari Liridon Rata mbeti i plagosur rëndë pas një konflikti që filloi për një vend parkimi dhe përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit.
Policia njoftoi se pas hetimeve u arrestuan 2 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, ndërsa u sekuestruan prova të shumta, përfshirë dy thika dhe sende të forta të përdorura në përleshje.
Në pranga ra Altin Lekgegaj, 37 vjeç, i dyshuar si autor i të shtënave ndaj 28-vjeçarit, i akuzuar për “Vrasje me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve”. Bashkë me të u arrestua edhe Armen Sabliqi, 18 vjeç, pasi në lokalin e tij u gjetën dy thika të mbajtura pa leje.
Në kërkim janë shpallur Altin Lekgegaj, 44 vjeç dhe Serxho Lekgegaj, 21 vjeç, të dy të dyshuar se kanë bashkëpunuar në tentativën për vrasjen e 28-vjeçarit.
Ngjarja ndodhi më 20 gusht, rreth orës 17:00, në zonën bregdetare të Hamallajt. Fillimisht palët u përleshën me sende të forta, por konflikti degradoi shpejt kur një nga të dyshuarit nxori armën dhe qëlloi drejt viktimës.
I riu nga Kukësi, që jetonte në Kolesjan, u transportua menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se po vijojnë hetimet për të dokumentuar të plotë ngjarjen dhe për të vënë në pranga autorët ende në arrati.