Berisha zbulon skenarin e frikshëm: “Daniel Shima mund të kishte përfunduar si Ervis Martinaj”

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta gjatë një deklarate për mediat, duke u ndalur te rasti i ish-zv/drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima, i cili u zhduk për disa orë dhe më pas u paraqit në komisariat.

Berisha tha se ngjarja nuk është aspak e zakonshme dhe se Shima ka qenë i përfshirë në “vorbullën më mafioze të interesave”, duke lënë të kuptohet se pas zhdukjes së tij qëndrojnë motive të errëta. “Ky është një person që dinte çdo gjë dhe ishte në qendër të ciklonit. Shkarkimi i tij pas një sesioni pyetjesh në SPAK nuk ishte rastësi, por një skenar i qartë për të heshtur atë që dinte,” u shpreh ai.

Në vijim, Berisha paralajmëroi se Shima mund të kishte përfunduar në të njëjtin fat si Jan Prenga apo i zhdukur pa gjurmë si Ervis Martinaj, duke e konsideruar rastin si “një rrëmbim të mirëfilltë” dhe jo një mungesë të rastësishme kontakti. Sipas tij, vetëm mesazhi SOS që Shima i dërgoi partneres e shpëtoi nga një skenar fatal.

“Përndryshe, sot do të kishim përballë një ngjarje makabre, me një tjetër zyrtar të zhdukur pa gjurmë në narkoshtetin shqiptar,” theksoi Berisha.

Deklaratat e kreut të PD-së nxisin edhe më shumë dyshime mbi misterin e zhdukjes së përkohshme të ish-zyrtarit të AKSHI-t, i cili në versionin e tij zyrtar ka pretenduar se ishte larguar drejt jugut pas një konflikti me të dashurën. Hetimet vijojnë ndërkohë që opinioni publik mbetet i tronditur nga ky episod.


Artikulli i mëparshëmArbër Veliaj paraqitet në SPAK, merret në pyetje si person në dijeni
Artikulli i radhësBerisha i jep hua 3 deputetë Metës, Partia e Lirisë pritet të krijojë grup parlamentar në Kuvendin e ri