
Sali Berisha ka vendosur të vijojë aleancën e tij politike me Ilir Metën edhe pas zgjedhjeve të fundit, duke e ndihmuar Partinë e Lirisë që të krijojë grupin e vet parlamentar në Kuvendin e ri.
Burime nga opozita konfirmojnë se Berisha do t’i japë tre deputetë hua Metës, pas katër mandateve të sigurta që i ofroi më herët në listat zgjedhore. Ky veprim i jep mundësi Partisë së Lirisë të plotësojë numrin minimal prej 7 deputetësh, duke u kthyer në një zë më të fortë në seancat plenare dhe në komisionet parlamentare.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, ka deklaruar se marrëveshja është dakordësuar paraprakisht dhe se tashmë “zëri i Metës do të dëgjohet fuqishëm në Kuvend, pavarësisht se ai ndodhet pas hekurave”.
Përfitimi nga një grup parlamentar nuk është thjesht politik, por edhe praktik: më shumë minuta debati, hapësira organizative, zyra dhe staf shtesë, të cilat konsiderohen bonuse të rëndësishme për opozitën.
Ndërkohë, Berisha ka lënë të hapur opsionet për të ardhmen e Partisë Demokratike, duke nënvizuar se forcat opozitare nuk do të tërhiqen nga beteja politike. Ai ka paralajmëruar një “aksion të fortë në rrugë dhe në institucione”, duke kujtuar shembullin e betejës së Stalingradit si metaforë të vendosmërisë opozitare.
Në legjislaturën e re, opozita pritet të ketë jo vetëm grupin e Partisë Demokratike, por edhe të tjerë të formuar nga aleatët e saj më të afërt, si Partia Republikane e Fatmir Mediut, PBDNJ e Vangjel Dules dhe përfaqësues të tjerë të strehuar në listat e përbashkëta.
Ky konfigurim pritet të forcojë pozitën e opozitës në sallën e Kuvendit, duke krijuar një skenë politike të re, ku çdo grup parlamentar i djathtë do të ketë rolin e vet në përplasjet e ardhshme politike.