
Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit nis legjislaturën e re me një ndryshim të rëndësishëm institucional: shtimin e tre komisioneve të përhershme parlamentare. Në vend të 8 komisioneve që funksiononin deri më tani, Kuvendi do të ketë 11, duke rritur peshën e punës parlamentare dhe duke sjellë një riorganizim të ndjeshëm në ndarjen e kompetencave.
PS merr shumicën, opozita ruan balancën
Sipas vendimit, Partia Socialiste do të ketë drejtimin e 7 komisioneve, përfshirë ato më strategjikët si Ekonomia, Ligjet, Brendshmet dhe Mbrojtja, si dhe komisionin e ri të krijuar nga bashkimi i Jashtmit me Integrimin Europian. Nga ana tjetër, opozita do të ketë në dorë drejtimin e 4 komisioneve: Edukimi, Shëndetësia, të Drejtat e Njeriut dhe Kultura. Ky ristrukturim synon, sipas maxhorancës, të balancojë më mirë rolet mes pushtetit dhe opozitës, megjithëse mbetet për t’u parë në praktikë nëse kjo do të garantojë një proces më transparent dhe përfaqësues.
Komisionet e reja të përhershme
- Ekonomia, Punësimi dhe Financat – PS
- Çështjet Ligjore dhe Administrata Publike – PS
- Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtja – PS
- Edukimi, Shkenca dhe Sportet – Opozita
- Shëndetësia dhe Mirëqenia Sociale – Opozita
- Burimet Natyrore, Infrastruktura dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm – PS
- Të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Opozita
- Bujqësia, Ushqimi dhe Zhvillimi Rural – PS
- Kultura, Turizmi dhe Diaspora – Opozita
- Europa dhe Punët e Jashtme – PS
- Nismat Qytetare, Bashkëpunimi dhe Mbikëqyrja Institucionale – PS
Një mandat me sfida të reja
Ky ndryshim vjen vetëm pak ditë para se Kuvendi të nisë punën zyrtare dhe pritet të shënojë tonin e katër viteve të ardhshme të punës legjislative. Rama theksoi se ky organizim i ri synon të rrisë efikasitetin e Kuvendit dhe të fokusohet tek prioritetet kombëtare, si integrimi europian, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i shtetit ligjor.
Ky ristrukturim shihet si një lëvizje që i jep PS-së kontroll mbi pikat kyçe të vendimmarrjes, ndërsa opozita merr një rol më të theksuar në fusha të ndjeshme sociale si arsimi, shëndetësia dhe të drejtat e njeriut.