Qeveria e Re, Berisha zbulon prapaskenën: Rama i propozoi Pacollit postin e zv.Kryeministrit

0

Kreu i opozitës, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas prezantimit të kabinetit të ri qeveritar nga kryeministri Edi Rama, duke hedhur akuza të forta dhe duke zbuluar prapaskena të panjohura për publikun.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se qeveria e re nuk përfaqëson gjithë vendin, pasi nuk përfshin asnjë ministër nga Veriu i Shqipërisë. Ai e cilësoi këtë veprim si shprehje të një “urrejtjeje patologjike” të Ramës ndaj veriut, duke nënvizuar se është hera e parë që një kabinet përjashton tërësisht këtë zonë të vendit.

Akuza e fortë për ofertën ndaj Pacollit

Berisha zbuloi gjithashtu një prapaskenë që lidhet me përbërjen e qeverisë: sipas tij, Rama i ka propozuar biznesmenit dhe politikanit kosovar Behgjet Pacolli postin e zëvendëskryeministrit, me kusht që ky t’i jepte qeverisë shqiptare kontrollin e aeroportit të Vlorëe. Por Pacolli, sipas Berishës, e ka refuzuar ofertën për arsye dinjiteti.

I ka propozuar z. Pacolli zv.kryeministër, me kusht që t’ia japë aeroportin, por ai për dinjitet ia ka refuzuar ofertën,” tha Berisha, duke shtuar se Rama kishte menduar edhe për dy personalitete të tjera nga Kosova për t’i balancuar mungesën e përfaqësuesve veriorë në kabinet.

Diskriminimi i veriut dhe shifrat e investimeve

Sipas Berishës, Rama po diskriminon rëndë veriun, pavarësisht kontributit të madh që kjo zonë jep për buxhetin e shtetit. Ai përmendi se investimet në veri janë më pak se 1/13 e atyre në zonat e tjera, ndërkohë që vetëm Rruga e Kombit kontribuon me mbi 400 milionë euro, pa llogaritur kaskadën e Drinit që sjell miliarda euro të ardhura.

Një zonë që ka një kontribut madhor në financat e vendit trajtohet me urrejtje të papërmbajtur, vetëm pse nuk e voton këtë qeveri,” tha Berisha.

Deklaratat e Berishës pritet të ndezin edhe më shumë debatin politik mbi qeverinë e re të Ramës, e cila tashmë është kritikuar për përjashtimin e veriut dhe për akuzat e lidhura me marrëveshje të dyshimta pas kuintave. Për opozitën, ky kabinet përfaqëson vazhdimin e një qeverisjeje klienteliste dhe të njëanshme, ndërsa për mazhorancën është ekipi që do të çojë përpara projektin “Shqipëria 2030”.


Artikulli i mëparshëmRënia e Lalit, pasqyra ku çdo ministër i ri duhet të lexojë fatin