Rubin Hedh Dyshime Për Raportet E OKB-së Mbi Kosovën

0

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën Speciale, ku u pyet për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), që fliste për rrëmbime të civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, si dhe të oficerëve të policisë serbe nga persona të lidhur me UÇK-në.

Rubin u tregua i rezervuar, duke theksuar se raportet e Kryqit të Kuq ndërkombëtar i konsideronte më të besueshme. “Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik. Organet e OKB-së shpesh nuk e kanë përshkruar situatën në Kosovë ashtu siç ishte në realitet. Pra, isha në dijeni të raportimit, por jo domosdoshmërisht ai raport ishte i besueshëm,” deklaroi Rubin.

Gjatë seancës, prokurori e pyeti për disa artikuj të kohës që lidhnin UÇK-në me vrasje dhe arrestime individësh. Rubin pranoi se nuk i kujtohej në mënyrë specifike përmbajtja e tyre, duke shtuar se pas më shumë se 20 vitesh, detajet e asaj periudhe janë të vështira për t’u rikujtuar.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur roli i raporteve ndërkombëtare dhe institucioneve si OKB-ja apo Gjykata Speciale vijon të jetë i diskutueshëm, duke ndikuar drejtpërdrejt në perceptimin e publikut për drejtësinë dhe narrativën mbi luftën në Kosovë.


Artikulli i mëparshëmReforma Në Drejtësi Dhe Hijet E Saj: Rasti Sadushi Dhe Standardet E Dyfishta
Artikulli i radhësIsh-ambasadori Holandez: Gjykata E Hagës Në Shërbim Të Serbisë