
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka ngritur akuza të forta ndaj Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që nuk i shërben drejtësisë, por interesave të Serbisë. Në një intervistë për Euronews Albania, Bosch tha se ngritja e kësaj gjykate nuk është perceptuar si një përpjekje e sinqertë për drejtësi, por si një zgjatim i marrëveshjeve politike që rëndojnë mbi Kosovën.
Bosch, i cili mbajti një fjalim në protestën e organizuar në Hagë në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, theksoi se gjatë viteve të ’90 shumë nga përgjegjësit e krimeve sot mbajnë poste të larta në Serbi, ndërsa Kosova vazhdon të mbajë barrën e akuzave.
“E gjithë kjo gjykatë ishte pjesë e një marrëveshjeje që u krijua de facto për serbët. Në raportet e kohës thuhet qartë se shumica e krimeve ishin kryer nga serbët, por asnjë prej tyre nuk është akuzuar nga kjo gjykatë. Ndërkohë, shumë prej atyre që mbajnë sot pozita të rëndësishme kanë qenë kriminelët kryesorë të viteve ’90,” tha Bosch.
Ai shtoi se Kosova padrejtësisht fajësohet gjithmonë për marrëveshjen me Serbinë, ndërsa presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas tij, nuk është partner i Europës, por i Rusisë dhe Kinës.
Deklaratat e ish-ambasadorit holandez vijnë në një kohë kur proceset gjyqësore në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shoqërohen me debate të forta mbi legjitimitetin, objektivitetin dhe ndikimin politik të kësaj gjykate.