Diskutimet në mbledhjen e PD-së: Të mos përjashtojmë ngujimin apo grevën e urisë

0

Detaje të reja kanë dalë nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të zhvilluar një ditë më parë. Sipas gazetarit Osman Stafa, në mbledhjen me dyer të mbyllura disa deputetë kanë propozuar një linjë më të ashpër opozitare, duke përfshirë edhe aksione ekstreme si greva e urisë apo ngujimi në Parlament.

Belind Këlliçi deklaroi se opozita ndodhet përballë një momenti kritik, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se i ka mohuar qytetarëve të drejtën për t’u njohur me programin qeverisës dhe denoncimet e opozitës. Ai u shpreh se ky ishte një “kurth i ngritur nga Rama”, ndërsa bëri thirrje për një radikalizim të aksionit politik si brenda, ashtu edhe jashtë sallës së Kuvendit. “Duhet të ndërgjegjësojmë qytetarët se Rama pengon debatin, pengon parlamentarizmin dhe jetën normale politike”, tha Këlliçi.

Në të njëjtën linjë, Gjin Gjoni propozoi masa konkrete si ngujimi në Kuvend, greva e urisë dhe organizimi i protestave të fuqishme që mund të rrethojnë institucionet kryesore. Ai kërkoi gjithashtu përfshirjen e diasporës shqiptare në protesta përpara ambasadave. “Nuk mund të ketë normalitet me këtë qeveri”, tha Gjoni.

Saimir Korreshi gjithashtu mbështeti idenë e ngujimit në Kuvend dhe theksoi se opozita duhet të veprojë fort nëse vendimi i kryeparlamentarit Niko Peleshi nuk ndryshohet. Sipas tij, qytetarët presin më shumë vendosmëri dhe nuk janë më të gatshëm të presin nga opozita.

Këto propozime tregojnë një prirje drejt ashpërsimit të strategjisë opozitare, duke reflektuar zhgënjimin dhe tensionet politike pas miratimit të programit qeveritar vetëm me votat e mazhorancës.


Artikulli i mëparshëmEksplozivi Në Pronën e Xhelal Mziut, Kamerat e Shtëpisë Jashtë Funksionit
Artikulli i radhësDiskutimet në mbledhjen e PD-së: Nga greva e urisë te ngujimi – “sakrificat” e opozitës pas 12 vitesh pritje