
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryetaren e Bashkisë së Tropojës, Zyra Islamaj, e akuzuar se ka abuzuar me detyrën duke përdorur një tender publik për të ngritur një urë pranë shtëpisë së motrës së saj. Sipas SPAK, ndërtimi i urës mbi përroin që kalon përpara derës së banesës së familjarëve u favorizua përmes ndërhyrjes direkte të Islamajt tek ndërtuesi Rrok Gega. Ky i fundit ka pranuar se projekti nuk ishte pjesë e procedurës së tenderimit dhe se do ta realizonte si “dhuratë” për kryebashkiaken.
SPAK e akuzon Islamajn për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa Rrok Gegën për “korrupsion aktiv”, duke e kthyer këtë rast në një shembull të hapur të klientelizmit dhe shpërdorimit të pushtetit vendor në dobi të interesave familjare.