
Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në bulevardin përballë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë, ku një makinë ka përplasur një 55-vjeçar që po kalonte rrugën.
Sipas dëshmitarëve, goditja ka qenë e fortë dhe këmbësori është rrëzuar në trotuar me dëmtime të shumta në trup. Ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe e ka transportuar të plagosurin drejt Spitalit të Traumës, ku ndodhet nën kujdes intensiv.
Shoferi i automjetit është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje, ndërsa forcat e rendit kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin për të kryer hetimet dhe për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.
Ngjarja ka shkaktuar panik te kalimtarët, pasi zona është ndër më të frekuentuarat e Tiranës, në afërsi të institucioneve qendrore dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë, policia rrugore apelon për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët, sidomos në zonat urbane me fluks të lartë lëvizjeje.