
Maliqi është mbuluar sot nga një heshtje e rëndë, pas ngjarjes tragjike që tronditi qytetin një ditë më parë. Merjeme Hazisllari, 38 vjeçe, dhe djali i saj, Luka Hazisllari, 14 vjeç, humbën jetën pas asfiksisë që shkaktoi zjarri në banesën e tyre, ndërsa vajza e vogël, Nefeli Hazisllari, 6 vjeçe, ndodhet në gjendje kritike për jetën.
E mitura është transportuar në Tiranë, ku po trajtohet në terapinë intensive të Pediatrisë, pasi ka pësuar djegie në fytyrë dhe trup. Ndërkohë, banesa e familjes Hazisllari është shkrumbuar plotësisht nga flakët, duke lënë të pastrehë të afërmit.
Në Maliq, atmosfera është e mbushur me dhimbje dhe trishtim. Familjarë, fqinjë dhe qytetarë janë mbledhur në banesën e xhaxhait të fëmijëve, ku është hapur dyert e mortit, pasi shtëpia e viktimave është bërë e pabanueshme.
Ceremonia mortore do të zhvillohet sot, në orën 15:00, ku nënë e bir do të përcillen për në banesën e fundit mes lotëve dhe heshtjes së qytetarëve.
Tragjedia ka tronditur thellë komunitetin e vogël të Maliqit, ku ngjarje të tilla janë të rralla dhe prekin gjithë qytetin.