Pavarësisht Zhurmës, Balluku Shkon Në Bukuresht, Jo Në SPAK: Energjia Diellore Më E Fortë Se Kërkesa Hetimore

0

Në Tiranë, zhurma e hetimeve të SPAK ndaj tenderëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po arrin tensionin e një termocentrali në kulm ngarkese. Por ndërsa flitet për dosje, hetime dhe prokurorë, Belinda Balluku ka ndezur dritat… në Bukuresht. Jo për t’u përballur me pyetjet e hetuesve, por për të ndarë “rrezet” e arritjeve energjetike të Shqipërisë në Takimin e Nivelit të Lartë të Ministrave të Energjisë.

Në një videomesazh zyrtar, ministrja e energjisë dhe zëvendëskryeministrja e vendit njoftoi plot krenari se Shqipëria ka arritur për herë të parë 10% të kapaciteteve energjetike nga dielli, ndërsa 90% vijojnë të mbeten nga hidrocentralet. Një shifër që, sipas saj, ndriçon rrugën e Shqipërisë drejt tranzicionit të gjelbër — një rrugë që, fatmirësisht për të, nuk kalon as afër godinës së SPAK-ut.

“Kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga energjia diellore”, – deklaroi Balluku, duke i lënë në hije 100% të kuriozitetit publik për hetimet që po zhvillohen në Tiranë.

Në Bukuresht, Balluku zhvilloi takime të shumta me homologë europianë, përfshirë Komisionerin për Energjinë, Dan Jorgensen, dhe ministrin rumun të Energjisë, me të cilët, sipas saj, po ngjizet një bosht energjetik ballkaniko-europian. Një bosht që do të lidhë Shqipërinë, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Italinë — një rrjet që mund të shpërndajë shumë energji, por sigurisht jo ndonjë ndriçim të tepërt mbi dosjet e tenderëve në Tiranë.

Në një vend ku çdo figurë publike fshihet pas “takimeve ndërkombëtare” sa herë që thirret për “bashkëpunim institucional”, Balluku po demonstron se diplomacia e energjisë është mburoja më e mirë ndaj tensionit hetimor.
Në fund të fundit, kur dielli të ndriçon me 10% të kapaciteteve kombëtare, kush ka më nevojë për dritën e SPAK-ut?

Artikulli i mëparshëmVideo/ Tensione Në Fundin E “El Clasicos”: Yamal Përplaset Me Carvajal, Vinicius E Ndjek Me Vrap Drejt Tunelit
Artikulli i radhësShehaj Akuzon: “Balluku Nën Hetim Nga SPAK, Por 99% E Mediave Heshtin Sepse Janë Të Paguar”