Skandali Me Hemodializën: Braçe Kërkon Hetim 10-Vjeçar Për Pagesat Fiktive Të Spitalit Amerikan

0

Në një ndër denoncimet më të drejtpërdrejta brenda Kuvendit, deputeti socialist Erion Braçe ka ngritur alarmin për abuzimet në kontratën koncesionare të hemodializës, e cila i është dhënë Spitalit Amerikan, në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu.

Gjatë shqyrtimit të raportit vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për vitin 2024, Braçe kërkoi një auditim të plotë dhjetëvjeçar për tre koncesionet kryesore të shëndetësisë — hemodializë, sterilizim dhe check-up — që prej vitesh marrin miliona euro nga buxheti i shtetit.

“Kontrata koncesionare ‘Për ofrimin e hemodializës’ ka rezultuar me pagesa për shërbime të pakryera, konkretisht për 9241 raste nën projeksion dhe 1557 raste mbi projeksion, në shumën 103,527 mijë lekë. Kjo është e njëjta sjellje vit pas viti. Kërkoj një auditim të plotë të 10 viteve të kontratës,” – theksoi Braçe.

Deputeti socialist, i njohur për daljet e tij të guximshme kundër interesave të lidhura me pushtetin, nënvizoi se kontrata e hemodializës është kthyer në një skemë pagesash fiktive, ku shteti paguan shërbime që nuk kryhen ose që janë në sasi më të ulëta nga sa raportohet.

Në mbështetje të tij, kreu i KLSH, Arben Shehu, konfirmoi ekzistencën e shkeljeve të përsëritura në sektorin e shëndetësisë:

“Në disa raste është vijuar me pagesa për shërbime që nuk janë kryer, ose që janë kryer në vëllime më të ulëta se projeksioni. Fenomene të tilla janë konstatuar në kontrata të rëndësishme në fushën e shëndetësisë, përfshirë dhe hemodializën,” – deklaroi Shehu.

KLSH i kërkon qeverisë të analizojë dëmin financiar dhe të rikuperojë fondet publike, duke paralajmëruar se abuzimet me buxhetin e shëndetësisë janë të përsëritura dhe sistematike.

Kontrata e hemodializës, e nënshkruar me grupin e Spitalit Amerikan, ka qenë prej vitesh në qendër të dyshimeve për korrupsion, manipulim faturash dhe mbifaturime të qëllimshme. Megjithatë, përtej raportimeve të KLSH-së dhe denoncimeve periodike të mediave, asnjë hetim penal i plotë nuk është ndërmarrë deri më sot.

Në thelb, kjo është një tjetër dëshmi se “shëndetësia publike” po funksionon si një bankomat i privatëve të lidhur me pushtetin. Dhe në qendër të kësaj skeme, si gjithmonë, qëndron emri i përhershëm: Klodian Allajbeu.


Artikulli i mëparshëmPD Inicion Shkarkimin Dhe Nuk Voton: Kaosi Brenda Opozitës Në Votimin Për Niko Peleshin
Artikulli i radhësKur Rama Dhe Berisha Ulen Në Një Tavolinë, Demokracia Shkon Për “L…”