
Një aksident rrugor është shënuar mesditën e sotme në aksin Fier–Patos, ku janë përplasur dy automjete, mes tyre edhe një mjet i Policisë së Shtetit. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur dy efektivë policie dhe një drejtues automjeti, të cilët janë dërguar në spital jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti i policisë është përplasur me një mjet tip “Benz”, i drejtuar nga shtetasja M. H., e cila dyshohet se humbi kontrollin për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë vështirësuar shikueshmërinë dhe kushtet e qarkullimit në rrugë.
Në raportin paraprak, policia bën me dije:
“Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Fier–Patos, shtetasja M. H., duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka goditur automjetin e policisë rrugore, me drejtues punonjësin e policisë F. Sh. Për pasojë janë dëmtuar shtetasja M. H. dhe dy punonjësit e policisë, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.”
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
