
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy reagoi publikisht menjëherë pas lirimit nga burgu, duke falënderuar mbështetësit dhe duke theksuar se fokusi i tij tani është apeli. Në një mesazh në rrjetet sociale, ai u shpreh se mijëra mesazhe solidariteti i kanë dhënë forcë për të përballuar periudhën e vështirë.
“E vërteta do të triumfojë. Ligji u zbatua. Tani do të përgatitem për apelin; energjia ime është përqendruar ekskluzivisht në vërtetimin e pafajësisë sime,” tha Sarkozy, duke e përshkruar këtë moment si rifitim të lirisë për veten dhe familjen.
Sarkozy u lirua pasi gjykata në Paris vendosi që ai mund të qëndrojë i lirë gjatë shqyrtimit të apelimit kundër dënimit për komplot në mbledhjen e fondeve të lidhura me fushatën presidenciale të vitit 2007 dhe akuzat për financim nga Libia e Muamar Gadafit. Ish-presidenti u dërgua në burg më 21 tetor, pas shpalljes fajtor në shtator.
Vendimi parashikon kontroll gjyqësor me kufizime për kontaktet. Gjykata ndaloi çdo komunikim me persona të përfshirë në çështje, përfshirë edhe ministrin e Drejtësisë, Gérald Darmanin, i cili u vu në qendër të vëmendjes pas vizitës së tij te Sarkozy në burg gjatë tetorit.
Nga ky moment, beteja ligjore zhvendoset në shkallën e apelimit, ku ekipi mbrojtës i ish-presidentit pritet të sfidojë vendimin, ndërsa Sarkozy e mbylli mesazhin e tij me besimin se “ajo që mbetet është të shkruajmë fundin e historisë.”
