Rama kërkon rikthimin e Erion Veliajt në detyrë: “Gjykata Kushtetuese duhet ta kthejë në zyrë. Tiranës i duhet një udhëheqës legjitim”

0

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej muajsh ndodhet në paraburgim nën hetimin e SPAK. Gjatë një takimi me qytetarët e Njësisë nr. 3 në Tiranë, Rama theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për anulimin e zgjedhjeve nuk e zgjidh krizën, ndërsa tha se institucioni duhet ta rikthejë Veliajn në detyrë.

Rama u shpreh se, në një takim për buxhetin e Bashkisë së Tiranës, personi që duhej të ishte i pranishëm është vetë kryebashkiaku, jo ai si kryeministër. Ai e cilësoi të papranueshme që Veliaj është “marrë nga zyra dhe mbyllur në qeli pa gjyq”, ndërsa nënvizoi se akuzat ndaj tij nuk përfshijnë vepra flagrante apo krime të dhunshme.

Sipas Ramës, ndërhyrja për të çuar vendin në zgjedhje u bë për të shmangur një vakuum drejtimi në kryeqytet, pasi “asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë”, pavarësisht punës së bërë nga nënkryetarja Anuela Ristani. Ai tha se Tirana ka nevojë për një udhëheqës të zgjedhur dhe për funksionimin normal të institucioneve.

Kreu i qeverisë tha se nuk beson që vendimi i Kushtetueses ka qenë politik, por shtoi se mazhoranca mendon ndryshe nga gjykata për mënyrën se si duhet të zgjidhet situata. Rama tha se rikthimi i Veliajt në zyrë është e vetmja mënyrë për të normalizuar administrimin e kryeqytetit.

Ai konfirmoi gjithashtu se Ogerta Manastirliu do të mbetet kandidatja socialiste për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht zhvillimeve të fundit.


Artikulli i mëparshëmAksident i rëndë në Fier, gjashtë persona të plagosur dërgohen me urgjencë në spital
Artikulli i radhësMuçi Shaljani nuk ia del të mbijetojë, atentati mafioz në Rinas merr viktimën e dytë