
Analisti Andi Bushati, i ftuar në “Çim Peka Live”, ngriti akuza serioze për funksionimin e drejtësisë në Shqipëri, duke paralajmëruar se SPAK po shndërrohet në një instrument politik që godet vetëm kundërshtarët e kryeministrit Edi Rama. Sipas Bushatit, kontrasti mes imazhit të Ramës që feston “kapitullin europian” të Shqipërisë dhe paraqitjes së Sali Berishës në SPAK tregon për një sistem të deformuar që sanksionon vetëm një krah të politikës.
“Problemi nuk është se Berisha shkon në SPAK, por se të tjerët nuk shkojnë kurrë”
Bushati theksoi se thirrja e Berishës nga SPAK është e pritshme dhe e domosdoshme, sidomos për çështjen e 21 janarit. Por, sipas tij, drama qëndron tek fakti se ky standard nuk zbatohet për të gjithë.
“Kur rivali i vet paraqitet dy herë në SPAK dhe njeriu që është në çdo gropë milionëshe nuk e kalon pragun, loja politike ka marrë fund,” – u shpreh Bushati.
Ai shtoi se nëse SPAK i jep Ramës luksin të përdorë goditjen penale vetëm ndaj kundërshtarëve, ndërsa ministrat dhe zyrtarët e afërt me pushtetin nuk preken, atëherë drejtësia i ndan shqiptarët në “të pastër” dhe “të pistë” në mënyrë të njëanshme.
Shembulli i vendeve demokratike që nuk po ndiqet në Shqipëri
Duke iu referuar rasteve si ai i ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, Bushati u shpreh se është normale që edhe ish-pushtetarë të japin llogari me vonesë. Por në Shqipëri, sipas tij, ky standard zbatohet selektivisht.
“A jam dakord të hetohen ish-pushtetarët? Patjetër. Po të jetë ky standardi. Problemi në Shqipëri është që llogari japin vetëm ish-pushtetarët… të një kampi,” – theksoi ai.
Mediat këtë herë nuk janë problemi: Lajmet ishin të pashmangshme
Bushati, i njohur për qëndrimet kritike ndaj mediave, këtë herë nuk i akuzoi ato për tendencë. Sipas tij, ndarja e dy ngjarjeve – Rama në festimet për Europën dhe Berisha para SPAK-ut – ishte e pashmangshme në çdo vend demokratik, pasi ishte realisht lajmi i ditës dhe nuk kishte vend për manipulim editorial.
SPAK në pikëpyetje: Standardi selektiv që kërcënon lojën demokratike
Sipas Bushatit, SPAK ka krijuar perceptimin e një institucion që “zgjedh me dorë” kë shënjestron.
“SPAK po i thotë shqiptarëve: votoni për të pastërin ose për të pistin. E pistë është opozita, i pastër është pushteti,” – deklaroi ai.
Bushati paralajmëroi se nëse ky model vazhdon, sistemi drejtësisë do të humbasë çdo besueshmëri dhe politika do të zhytet në një teren ku drejtësia përdoret si armë selektive e pushtetit.
