Zbulohen Emrat: Dy Vartësit E Ballukut Nën “Arrest Shtëpie”, Ndërsa Zv.kryeministrja Pezullohet Nga Detyra

0

Gjykata e Posaçme ka zbuluar sot se masat e sigurisë të vendosura për dy zyrtarë të tjerë lidhen me drejtorin e KESH-it, Erald Elezi, dhe kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli, të dy ish-vartës të zv.kryeministres Belinda Balluku. Të dy ata janë vendosur nën masën “arrest shtëpie”, në kuadër të hetimeve për aferën e tunelit të Llogarasë.

Ndërkohë, për Belinda Ballukun, GJKKO ka vendosur pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit, ndërsa vendimi ndaj saj mban klasifikimin “sekret”. Gjykata deklaroi se nuk ka një njoftim zyrtar për mediat, duke theksuar se informacioni do të bëhet publik vetëm “në momentin e duhur procedurial”.

“Kushtet e masave të sigurisë kanë karakter sekret. Në këtë moment gjykata nuk ka njoftim zyrtar për të ndarë me publikun. Në momentin e duhur procedurial do të njoftoheni”, thuhet në reagimin e GJKKO-së.

Ky zhvillim shënon një precedent të paprecedentë në politikën shqiptare: për herë të parë, numri dy i qeverisë pezullohet nga detyra për llogari të një hetimi penal të SPAK-ut.

Si U Zgjerua Dosja E Ballukut?

Gazetarja Klodiana Lala tha se Balluku është “zyrtarja më e lartë në detyrë” që përballet me një masë sigurie, edhe pse e konsideruar e lehtë. Hetimet u zgjeruan pas arrestimit të ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi.

Në një celular BlackBerry të përdorur nga Berberi, oficerët e BKH-së zbuluan komunikime të shumta që ekspozonin manipulimin e procedurave të tenderit të tunelit të Llogarasë, përfshirë skualifikimin e kompanive konkurruese dhe favorizimin e ofertuesit të paracaktuar.

Zbulimet nga telefoni i Berberit çuan në:

  • hapjen e dosjes ndaj Ballukut,
  • masat e arrestit për vartësit e saj,
  • dhe zgjerimin e hetimit drejt lidhjeve të dyshuara mes strukturave të infrastrukturës, drejtuesve të ARRSH, KESH-it dhe elementëve të biznesit.

Reagime Dhe Pritshmëri

Rasti ka shkaktuar lëkundje të forta politike dhe institucionale, pasi prek një nga figurat më të larta qeveritare. SPAK pritet të publikojë të tjera detaje mbi dinamikën e hetimeve, ndërsa GJKKO ka lajmëruar njoftim zyrtar në fazën proceduriale të duhur.


Artikulli i mëparshëmGjykata Shkarkon Nga Detyra Belinda Ballukun
Artikulli i radhësA E Ka Lëshuar Rama Belinda Ballukun? Pse Mediat e Mëdha Raportuan Sot Pezullimin Me Zell, Por Heshtën Kur U Thirr Në SPAK