FOTO/ Balluku Ngjit Shkallët E Kryeministrisë: Takimi I Parë Me Ramën Pas “Grushtit Knock-Out” Të GJKKO-së

0

Belinda Balluku, e pezulluar dje nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme, është parë sot duke hyrë me nxitim në godinën e Kryeministrisë. Pamjet tregojnë ish-zv.kryeministren teksa ngjit shkallët e Kryeministrisë e shoqëruar nga truproja, në vizitën e parë pas masave të rënda të sigurisë të caktuara ndaj saj.

Nuk dihet nëse Edi Rama ndodhej në zyrë apo ka zgjedhur të shmangë takimin ballë për ballë me një zyrtare që deri dje ishte numri dy i qeverisë, ndërsa sot mban statusin e të pandehurës për dy tendera strategjikë. Burime pranë mazhorancës thonë se Balluku nuk e kishte parashikuar që “grushti knock-out” politik dhe juridik do t’i vinte pikërisht nga GJKKO, ndërkohë që në muajt e fundit kishte marrë masa për të shmangur shkarkimin nga vetë kryeministri.

Akuzat Që Tronditën Karrierën E Saj

Më 31 tetor, SPAK e mori zyrtarisht të pandehur për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Dy javë më vonë, hetimi u zgjerua me një akuzë të re për lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. GJKKO vendosi pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës, duke e lënë Ballukun jashtë sistemit ekzekutiv për herë të parë në karrierën e saj politike.

Në të njëjtën dosje janë futur edhe vartës të saj të afërt, përfshirë ish-drejtorë të ARRSH-së dhe institucioneve të tjera të varësisë, të cilët janë vendosur në arrest shtëpie. Hetimi ka nisur pas rikuperimit të komunikimeve nga një celular “BlackBerry” i ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, i cili ka zbuluar skema të dyshuara koordinimi për manipulimin e tenderave publikë.

Pyetja Që Qarkullon Në Politikë

Hyrja e sotme e Ballukut në Kryeministri ka shtuar spekulimet mbi marrëdhënien e saj me Edi Ramën dhe nëse ai e ka lënë plotësisht jashtë mbrojtjes politike. Mediat që deri dje e asgjësonin çdo lajm negativ për të, sot janë ndër të parat që publikojnë detaje të pezullimit dhe lëvizjeve të saj – një sinjal i fortë i lëvizjes së pushtetit.

Nëse takimi me Ramën është tentativë për të kërkuar sqarime, mbështetje apo llogari, kjo mbetet e paqartë. Ajo që është e sigurt është se Balluku sot hyri në Kryeministri në një pozicion që nuk e kishte imagjinuar kurrë: e zbritur nga posti i fuqishëm i zv.kryeministres dhe nën trysninë e dy hetimeve të SPAK-ut.


Artikulli i mëparshëmA E Ka Lëshuar Rama Belinda Ballukun? Pse Mediat e Mëdha Raportuan Sot Pezullimin Me Zell, Por Heshtën Kur U Thirr Në SPAK
Artikulli i radhësShehaj Pas Pezullimit Të Ballukut: “Rama Do Dalë Para Drejtësisë, Ashtu Si Kryeministrat E Korruptuar Të Rajonit”