
Vendimi për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë u la në fuqi pas një seance që zgjati më shumë se katër orë. Gjykata e Posaçme konfirmoi masën e sigurisë dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për Ballukun, ndërsa për dy vartësit e saj u mbajt në fuqi masa “arrest shtëpie”.
Balluku mbërriti në gjykatë që në orët e para të mëngjesit, veshur me një kostum në ngjyrat kombëtare. Para saj, në ambientet e gjykatës kishte mbërritur motra e saj dhe njëherësh avokatja Pamela Qirko, si edhe drejtues të institucioneve vartëse, përfshirë kreun e KESH-it Erald Elezi dhe kreun e ARRSH-së Gentjan Gjyli, të cilët ndodheshin nën të njëjtën masë shtrënguese.
Seanca fillestare u ndërpre pas rreth 40 minutash, teksa mbrojtja kërkoi kohë për t’u njohur me provat e reja të servirura nga SPAK, që lidhen me hetimin për lotin 4 të Unazës së Madhe. Provat e lidhura me tunelin e Llogarasë ishin të njohura më herët, pasi akuzat përkatëse ishin komunikuar zyrtarisht më parë.
Pjesa e dytë e seancës u shndërrua në një debat të fortë ligjor mes mbrojtjes dhe prokurorit të çështjes, Dritan Prençi. Prokuroria argumentoi se masat duhej të mbeteshin në fuqi për të shmangur rrezikun e largimit nga drejtësia, ndikimit tek dëshmitarët dhe prishjes së provave, duke pasur parasysh pozicionet e larta të të dyshuarve në administratë.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Ballukut deklaroi se ajo ishte e gatshme për hetim, por kundërshtoi pezullimin nga detyra, duke theksuar se pozicionet e saj burojnë nga një mandat politik dhe përfaqësues.
Pavarësisht argumenteve, gjykata vendosi të mos ndryshojë asnjë prej masave. Balluku dhe vartësit e saj i pranuan vendimet në heshtje, duke shmangur prononcimet publike. Tani çështja pritet të kalojë në Apel, nëse palët zgjedhin të ankimojnë vendimin brenda pesë ditëve të përcaktuara nga ligji.
