Ofendoi gardianët dhe Safet Bajrin, Sokol Sanxhaktari dhunohet keq në burgun e Reçit

0

Sokol Sanxhaktari, i dënuar me 15 vite burg për vrasjen e Florian Lamçes, është dhunuar rëndë brenda burgut të Reçit. Ngjarja është konfirmuar nga burime pranë policisë së burgjeve, sipas të cilave incidenti ka ndodhur pak ditë më parë pas një konflikti të ashpër brenda institucionit penitenciar.

Sipas këtyre burimeve, sherri ka nisur fillimisht mes Sanxhaktarit dhe disa gardianëve të burgut, ndaj të cilëve i dënuari ka lëshuar fyerje dhe ofendime. Përpjekjet e punonjësve të sigurisë për ta qetësuar dhe neutralizuar situatën kanë dështuar.

Në konflikt është përfshirë më pas edhe Safet Bajri, i izoluar në burgun e Reçit me urdhër të SPAK, i akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër. Mes Sanxhaktarit dhe Bajrit janë shkëmbyer sharje dhe ofendime të rënda, çka ka çuar në një përplasje fizike.

Burimet bëjnë me dije se në këtë sherr kanë ndërhyrë edhe persona të tjerë të afërt me Safet Bajrin, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Sokol Sanxhaktarit, duke e rrahur rëndë.

Sipas informacioneve, përplasja është favorizuar edhe nga mungesa e sigurisë në sektorin përkatës, ku dyert e brendshme të dhomave qëndrojnë të hapura, duke u lejuar të dënuarve dhe paraburgosurve të lëvizin lirshëm dhe të hyjnë në ambientet e njëri-tjetrit.

Pas dhunës, Sokol Sanxhaktari është nxjerrë nga sektori ku ndodhi sherri dhe është akomoduar në një sektor tjetër të burgut. Burimet theksojnë se kjo nuk është hera e parë që të dënuar të njohur, të izoluar në burgjet shqiptare, përfshihen në përplasje dhe rrahje masive, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe menaxhimin e institucioneve penitenciare.

Artikulli i mëparshëmBerisha Nga Kurbini: Balluku Ka 300 Apartamente Me Paratë Tuaja
Artikulli i radhësU rrëzua te blloqet e betonit, lëndohet rëndë në kokë 35-vjeçarja në Vlorë