
Një grua rreth 35 vjeçe është lënduar rëndë gjatë ditës së sotme në Vlorë, pasi është rrëzuar përgjatë bulevardit Ismail Qemali. Sipas të dhënave, ajo është penguar në një prej blloqeve të betonit të vendosura në zonë, duke pësuar dëmtime serioze në kokë.
Pas incidentit, gruaja është transportuar me ambulancë drejt urgjencës së spitalit rajonal të Vlorës, ku ka marrë ndihmë mjekësore. Gjendja e saj raportohet e rëndë, ndërsa po kryhen ekzaminimet e nevojshme.
Ky nuk është një rast i izoluar. Qytetarët kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për blloqet e betonit të vendosura pa kritere të qarta përgjatë bulevardit dhe trotuareve të këmbësorëve, të cilat përbëjnë rrezik serioz për sigurinë publike.
Sipas informacioneve, një muaj më parë një grua rreth 65 vjeçe humbi jetën, pasi u pengua pikërisht në këto blloqe betoni. Ngjarja e sotme rikthen edhe një herë në vëmendje rrezikun e përsëritur, veçanërisht për moshat e treta dhe këmbësorët.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet lokale për heqjen ose sistemimin e blloqeve të betonit, përpara se të ndodhin ngjarje të tjera tragjike.
