‘E çuditshme si dreqi’/ Pacientët Covid-19 me simptoma për muaj të tërë

0

Nga Luke Harding, The Guardian

Në mes të marsit, Paul Gardner nisi të kishte pak kollë. Profesori i sëmundjeve infektive po diskutonte për koronavirusin e ri me David Nabarro, i dërguar special i Britanisë së Madhe për pandeminë. Gjatë një telefonate në Zoom, Nabarro e këshilloi Garner të shkonte menjëherë dhe të vetizolohej. Garner e dëgjoi. Ai ndjehej vetëm pak pa qejf.

Disa ditë më vonë e gjeti veten duke luftuar një infeksion të tërbuar. Ai pëlqen të thotë se dukej sikur dikush po abuzonte me të apo sikur po e godisnin në kokë me shkop bejsbolli.

“Simptomat ishin të çuditshme si dreqi,” thotë ai. Mes tyre ai përfshin humbjen e nuhatjes, plogështi, ngushtim në gjoks dhe aritmi. Në një moment, Garner mendoi se do vdiste. U përpoq që të kërkonte në Google për miokiardin, por nuk ishte në gjendje as të navigonte në ekran.

Garner i referohet vetes me ironi si një anëtar i ‘grupit të imunitetit të tufës së Johnson’. Ky është një grup pacientësh që e kontraktuan Covid-19, 12 ditë përpara se Mbretëria e Bashkuar të mbyllej. Ai supozoi se sëmundja do kalonte me shpejtësi. Përkundrazi, ajo vazhdoi e vazhdoi- si një karusel me shëndet të keq, emocione ekstreme dhe rraskapitje të plotë, siç e përshkruan ai në një blog javën e shkuar për ‘British Medical Journal’.

Ekzistojnë dëshmi në rritje se virusi shkakton një sërë simptomash shumë më të mëdha nga sa kuptohej më parë. Dhe se efektet mund të zgjaten në mënyrë agonizuese: në rastin e Garner, ato zgjatën më shumë se shtatë javë. Profesori i Shkollës së Mjekësisë Tropikale në Liverpul thotë se përvoja e tij me Covid-19 i shpaloste atij çdo ditë nga një simptomë të re dhe shqetësuese, tamam si një kalendar.

Kishte kokë të rënduar, stomak të trazuar, zhurmë në veshë, ndjesinë e shpimit nga gjilpëra, marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje dhe artrit në duar. Sa herë që Garner mendonte se po bëhej më mirë, sëmundja kthehej zhurmshëm. “Është thellësisht zhgënjyese. Shumë njerëz fillojnë të dyshojnë te vetja. Partnerët nisin të pyesin nëse ka ndonjë problem psikologjik me ta”.

Që nga botimi i shkrimit të tij, Garner ka marrë email-e dhe telefonata nga lexues të përlotur, që i shprehin mirënjohjen dhe i thonë se kishin menduar se po çmendeshin. “Unë jam person i shëndetit publik,” thotë ai. “Virusi sigurisht që shkakton shumë ndryshime imunologjike në trup, shumë patologji të çuditshme që ne ende nuk i kuptojmë. Kjo është një sëmundje e re. Dhe e egër. Nuk ka tekste shkollore të shkruara për të”.

Sipas një hulumtimi të fundit, rreth një në 20 pacientë me Covid-19 përjeton simptoma afatgjata. Është e paqartë nëse afatgjatë do të thotë dy muaj, tre apo më shumë. Paralelja më e mirë janë ethet dengue, thotë Garner, një infeksion i nyjeve limfatike, nga e cila ai është prekur po ashtu. “Zëri vjen dhe shkon. Është sikur të ngasësh makinën me frena dore për gjashtë deri në nëntë muaj”.

Profesor Tim Spector, nga Kings College London, vlerëson se një numër i vogël, por i konsiderueshëm njerëzish, vuajnë nga një formë e ‘bishtit të gjatë’ të virusit. Spector është kreu i grupit kërkimor në KCL, që po krijon një aplikacion për të gjurmuar Covid-19. Kjo do të lejojë secilin që dyshon se ka sëmundjen, të fusë aty simptomat çdo ditë: rreth 3-4 milionë njerëz janë duke e përdorur aktualisht atë, kryesisht britanikë dhe amerikanë.

Spector përllogarit se rreth 200 mijë prej tyre janë duke raportuar simptoma që kanë zgjatur përgjatë kohës së studimit, e cila është gjashtë javë. Ka të dhëna të mira klinike në dispozicion për pacientët që përfundojnë në spital. Deri më tani, qeveria nuk po mbledh informacione për bashkësinë e atyre me simptoma të buta, por shpesh dobësuese, një grup më i madh se ata në kujdes kritik.

“Këta njerëz mund të kthehen në punë dhe nuk po performojnë më të mirën e tyre,” thotë Spector. “Është një histori krejt tjetër e virusit, që nuk ka marrë vëmendje për shkak se ‘nëse nuk je duke vdekur, je mirë’”.

Ai shton: “Ne jemi vendi që kemi shpikur epidemiologjinë. Por nuk kemi prodhuar një studim epidemiologjik, përveç aplikacionit. Është pak e turpshme”.

Teksa më shumë informacion bëhet i disponueshëm, modeli qeveritar i Covid duket i vjetruar. Shumë pacientë Covid nuk kanë ethe dhe kollë. Në vend të kësaj kanë dhimbje muskulore, dhimbje fyti dhe dhimbje koke. Aplikacioni ka gjurmuar 15 lloje të ndryshme simptomash, së bashku me një model të veçantë. “Kam studiuar 100 sëmundje. Covid është më e çuditshmja që kam parë në karrierën time mjekësore,” thotë Spector.

Shpjegimet shkencore për atë që po ndodh janë akoma në fazat fillestare. Lynne Turner-Stroke, profesoreshë e mjekësisë së rehabilitimit në Kings College, thotë se Covid është një sëmundje multi-sistem, e cila mund të ndikojë potencialisht çdo organ. Virusi shkakton probleme mikrovaskulare dhe mpiksje. Mund të prekë mushkëritë, trurin, lëkurën, veshkat dhe sistemin nervor. Simptomat neurologjike mund të jenë të buta (dhimbje koke) ose të rënda (konfuzion, delir, gjendje kome).

Turner-Stokes thotë se është e paqartë se përse sëmundja ndonjëherë zgjatet. Një shpjegim mund të jetë se sistemi imunitar i trupit kalon në mbi-reaksion. Një tjetër është se virusi i nxit simptomat.

Studiuesit tani po bashkëpunojnë përtej kufijve. Ata po shqyrtojnë të dhënat e fundit nga vendet evropiane, por edhe nga Kina. Ata po synojnë të kuptojnë se çfarë duhet për pacientët e rëndë dhe kronikë, teksa Covid i ka përballur me sfida të ngjashme me HIV/Aids një brez më parë.

Ndërkohë ‘afatgjatët’ e Covid kanë nisur të shkëmbejnë shënimet e tyre në grupe të posaçmë në rrjetet sociale. Madje kanë nisur edhe hashtag-ët 60DitëPlus apo 30DitëPlus. Ndjenja që mbizotëron është se mund të lehtësojnë njeri-tjetrin në këtë situatë të zymtë dhe se problemet e tyre shëndetësore nuk janë imagjinare.

Artikulli i mëparshëmHistoria tronditëse pas fotos virale në rrjetet sociale
Artikulli i radhësVOA: Raportit për shembjen e Teatrit i mungojnë elemente thelbësore