Dhuna Policore Në Shesh: Gazi, Uji Dhe Frika Si Instrumente Shteti (Shoqërohet Në Komisariat 10-Vjeçari)

0

Pamjet nga protesta kombëtare e opozitës para Kryeministrisë dhe më pas para Kuvendit zbuluan një realitet të rëndë: përdorimin e forcës policore kundër qytetarëve që protestonin. Gaz lotsjellës, ujë me presion dhe përballje të drejtpërdrejta u kthyen në mjetet kryesore të reagimit të shtetit, ndërsa sheshi u mbush me tym, panik dhe njerëz që kërkonin ajër.

Ndërhyrja e Policisë së Shtetit u shoqërua me skena tensioni të vazhdueshëm. Protestues u shpërndanë me gaz, disa u ndjenë keq dhe u transportuan me ambulancë, ndërsa të tjerë u përballën me ujë me presion në distancë të afërt. Në vend të menaxhimit proporcional të turmës, u pa një qasje represive që përshkallëzoi situatën.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u vendos përballë botit të ujit që po avanconte drejt Kuvendit, duke kërkuar ndalimin e dhunës ndaj qytetarëve. Gjestit të tij iu bashkuan protestues, të cilët u rreshtuan për të penguar mjetin policor. Sipas Boçit, dhuna u ushtrua me urdhër politik dhe nga drejtues të kapur, ndërsa “qëndresa do të vijojë”.

Në terren, policia vijoi përdorimin e gazit lotsjellës edhe në momente kur turma nuk po shfaqte rrezik të menjëhershëm, duke rritur ekspozimin e qytetarëve, përfshirë të moshuar e të rinj. Ky reagim ngre pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, përgjegjshmërinë dhe respektimin e të drejtës së protestës paqësore.

Akuza të drejtpërdrejta u artikuluan edhe ndaj qeverisë dhe kryeministrit , për urdhra politikë që, sipas opozitës, shndërrojnë policinë nga institucion i rendit publik në instrument presioni ndaj qytetarëve. Përballë këtyre pamjeve, kërkesa për transparencë, hetim të pavarur dhe llogaridhënie u bë edhe më e fortë.

Protesta u spostua drejt Kuvendit nën rrethim të shtuar policor, ndërsa tensioni mbeti i lartë. Ajo që mbeti pas ishte një shesh i zbrazët, por me pyetje të hapura: a po përdoret policia për të mbrojtur rendin apo për të heshtur zërin e pakënaqësisë? Në mungesë të përgjigjeve, besimi te institucionet goditet dhe e drejta për të protestuar vihet në provë.

Artikulli i mëparshëmTym Dhe Flakë Para Kryeministrisë, Protestuesit E PD Sulmojnë Godinën Qeveritare Me Molotovë
Artikulli i radhës“Më Kanë Goditur Me Shpullë Në Kokë”/ Denoncim I Rëndë Pas Protestës: 10-Vjeçari I Shoqëruar Nga Policia, Pa Kontakt Me Familjen