
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, ka nisur një vizitë zyrtare tre-ditore në Izrael, e cila përfshin takime të nivelit të lartë politik dhe një fjalim të rrallë në Parlamentin izraelit.
Vizita ka nisur me ndalesën në vendin e masakrës së 7 tetorit 2023, gjatë festivalit Nova, ku militantët e Hamasit vranë qindra civilë dhe morën peng dhjetëra të tjerë. Në një reagim publik, kryeministri e përshkroi këtë vend si një hapësirë që “kumbon pa fjalë”, duke theksuar se një pyll festash i kthyer pas një kasaphane të patregueshme është sot një tempull reflektimi për jetën, urrejtjen dhe çmimin e paqes.
Në vijim të axhendës, Rama po zhvillon një takim “kokë më kokë” me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga një takim mes delegacioneve qeveritare. Në përfundim të këtyre bisedimeve pritet edhe një deklaratë për shtyp.
Sipas njoftimit zyrtar, në orën 14:00 Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në ambientet e Knesset Plaza, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit.
Parashikohet që në orën 16:15 të ditës së sotme të nisë seanca plenare speciale e Parlamentit izraelit. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, Kryeministri i Izraelit, Lideri i Opozitës izraelite Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama.
Fjalimi i Ramës konsiderohet historik, pasi zhvillohet sipas një protokolli të posaçëm që Parlamenti izraelit u ka rezervuar një numri shumë të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi edhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump.
Në orën 17:15 do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.
Ndërkohë, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare izraelite, në kuadër të një axhende paralele me fokus çështjet sociale dhe dialogun ndërinstitucional.
Vizita e Kryeministrit Rama në Izrael vlerësohet si një moment me peshë të veçantë simbolike dhe politike, në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, duke vendosur Shqipërinë në një pozicion të dukshëm diplomatik në raport me zhvillimet ndërkombëtare.
