
Gjykata Kushtetuese ka vendosur të shtyjë marrjen e një vendimi përfundimtar lidhur me çështjen e njohur si “Balluku”, duke mos arritur një konkluzion në mbledhjen e zhvilluar në dhomë këshillimi. Trupa gjykuese ka kërkuar më shumë kohë për shqyrtimin e padisë, çka e shtyn procesin për një seancë tjetër në ditët në vijim.
Vendimi pritej me interes të lartë politik dhe institucional, pasi prej javësh ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Britanisë së Madhe, Holandës dhe vendeve të tjera perëndimore kanë shtuar presionin publik ndaj SPAK, GJKKO dhe Gjykatës Kushtetuese për të avancuar më tej hetimet dhe qëndrimet në këtë çështje sensitive.
Shtyrja e vendimit shihet si një zhvillim që i shërben drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama, i cili po përpiqet të fitojë kohë për të amortizuar pasojat politike të skandalit që përfshin zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Sipas kritikëve, zvarritja e procedurave synon shmangien e një përplasjeje të hapur me organet e drejtësisë, në një moment kur presioni publik dhe ndërkombëtar është në rritje.
Në këtë kontekst, edhe mazhoranca ka vendosur të shtyjë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, duke e kushtëzuar zhvillimin e saj me një vendim paraprak të Gjykatës Kushtetuese. Ky veprim e bën edhe më të rëndësishëm qëndrimin që pritet të mbahet nga gjykata në seancën e ardhshme, pasi ai mund të ndikojë drejtpërdrejt në balancat politike dhe institucionale në vend.
Ndërsa afatet shtyhen dhe vendimi mbetet pezull, çështja “Balluku” vazhdon të mbajë të ndezur debatin publik, duke u shndërruar në një test të fortë për pavarësinë e drejtësisë dhe për raportin mes pushtetit politik dhe institucioneve kushtetuese në Shqipëri.
