
Procesi gjyqësor ndaj katër figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka hyrë në fazën përfundimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë, në atë që konsiderohet rasti më i madh dhe më i rëndësishëm për të cilin është themeluar Gjykata Speciale.
Gjatë fjalëve përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga të akuzuarit: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në total, kërkesa e Prokurorisë përkthehet në 180 vjet burgim.
Megjithatë, mënyra se si u artikulua kërkesa fillestare krijoi paqartësi të konsiderueshme në media dhe opinion publik. Në përkthimin zyrtar në gjuhën shqipe, u la të kuptohej se Prokuroria po kërkonte një dënim të vetëm prej 45 vjetësh për të katër të akuzuarit, çka çoi disa media të raportojnë se bëhej fjalë për një dënim total prej 45 vitesh.
Kjo paqartësi u sqarua më pas nga zëdhënësit e Dhomave të Specializuara, të cilët konfirmuan se bëhet fjalë për dënime individuale, nga 45 vjet burg për secilin të pandehur. Sipas tyre, kërkesa e Prokurorisë nuk synon ndëshkimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si strukturë, por përgjegjësinë penale individuale të katër ish-udhëheqësve.
Kryeprokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Kimberley West, theksoi se kërkesa për dënim bazohet në kontributet individuale të secilit të akuzuar në krimet e përshkruara në aktakuzë, të cilat përfshijnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ajo nënvizoi se, sipas Prokurorisë, rëndësia e këtyre akuzave nuk është zbehur me kalimin e kohës dhe vazhdon të mbetet e lartë.
West sqaroi gjithashtu se asnjë dënim nuk kërkohet dhe nuk mund të shqiptohet vetëm mbi bazën e anëtarësisë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së apo në vetë UÇK-në, por vetëm mbi bazën e përgjegjësisë individuale për veprimet e pretenduara penale.
Artikulimi fillestar i kërkesës finale shkaktoi reagime dhe kërkesa për sqarime si nga ana e mediave, ashtu edhe nga publiku. Megjithatë, pas konfirmimeve zyrtare, është bërë e qartë se Prokuroria po kërkon dënime të ndara për secilin të akuzuar, të cilat në total arrijnë në 180 vjet burgim.
Procesi pritet të vijojë me argumentet përfundimtare të mbrojtjes, përpara se trupi gjykues të tërhiqet për vendimmarrje në një nga çështjet më të ndjeshme dhe më të ndjekura gjyqësore që lidhen me pasluftën në Kosovë.
