
Policia e Durrësit ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ish-kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili është dënuar me 1 vit burg për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë ekzekutuar vendimin e dhënë më 9 shkurt 2026, i cili përfshin gjithashtu edhe Blerim Xhamanin dhe Ndriçim Tafxhafën, të dënuar po ashtu me nga 1 vit burg për të njëjtën vepër penale.
Ish-kryebashkiaku Memolla u vetëdorëzua pranë autoriteteve vetëm pak orë pas shpalljes së vendimit nga Apeli i Posaçëm, duke i hapur rrugë ekzekutimit të menjëhershëm të dënimit. Përveç dënimit me burg, Gjykata vendosi edhe një dënim plotësues prej 5 vitesh, gjatë të cilëve Memolla nuk do të ketë të drejtë të ushtrojë funksione publike.
Në të njëjtin vendim, Isuf Toskut iu konvertua dënimi në shërbim prove, ndërsa për dy bashkëpunëtorët e tjerë u la në fuqi masa e burgimit.
Sipas hetimeve të kryera nga prokurori Edvin Kondili, ish-kryebashkiaku i Rrogozhinës kishte ndërhyrë pranë punonjësve të OSHEE-së për të mos ndërprerë energjinë elektrike për qytetarë të caktuar, në këmbim të votave në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Me këtë vendim të formës së prerë, ish-kreu i bashkisë përfundon në burg, duke shënuar një tjetër rast dënimi për korrupsion zgjedhor nga Gjykata e Posaçme.
