Shoqëria Civile Kundër Votimit Të PS Për Ballukun

0

Dhjetë organizata të shoqërisë civile kanë publikuar një deklaratë të përbashkët ku shprehin shqetësimin për vendimin e sotëm të Kuvendit të Shqipërisë, i cili rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në deklaratë, organizatat e cilësojnë rastin “Balluku” si një provë për funksionimin e institucioneve demokratike, respektimin e parimit të barazisë para ligjit dhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.

Sipas tyre, imuniteti parlamentar nuk mund dhe nuk duhet të përdoret si mburojë për të shmangur zbatimin e masave të sigurisë gjatë një procesi penal.

Organizatat theksojnë se lufta kundër korrupsionit mbetet një kusht kyç për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe kërkojnë që drejtësia të vijojë punën e saj në mënyrë të pavarur, pa u ndikuar nga presionet politike.

Deklarata

Grupi ynë i organizatave të shoqërisë civile shpreh shqetësimin për vendimin e sotëm të Parlamentit të Shqipërisë për të mos miratuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kufizimin e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Kjo çështje ka qenë për më shumë se tre muaj në qendër të debatit publik, shoqëruar me vonesa të dukshme nga ana e Kuvendit në ndryshim nga precedentët e mëparshëm, duke u shndërruar në një test të rëndësishëm për funksionimin e institucioneve demokratike, për zbatimin e parimit të barazisë para ligjit dhe për besueshmërinë e reformës në drejtësi.

Vendimi i sotëm vjen në një moment kur pritshmëritë e publikut shqiptar janë të qarta: qytetarët presin që çdo dyshim për vepra penale, veçanërisht në nivelet më të larta të qeverisjes, të hetohet me shpejtësi, pa pengesa dhe në mënyrë të paanshme nga institucionet e drejtësisë, në respekt të parimit se të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Në këtë kontekst, organizatat e shoqërisë civile theksojnë se imuniteti parlamentar nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si mburojë ndaj zbatimit të masave të sigurisë në kuadër të një procesi penal. Ai është konceptuar për të garantuar lirinë e fjalës dhe votës së deputetit, e jo për të penguar organet e drejtësisë për një hetim të plotë dhe efikas të dyshimeve për vepra penale.

Parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik, pavarësisht funksionit politik, të jetë i hapur ndaj verifikimit të drejtësisë.

Ndjekja efektive e korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, është një kusht i domosdoshëm për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Organizatat e shoqërisë civile rikujtojnë se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është i lidhur drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe me besimin e qytetarëve se drejtësia vepron pa standarde të dyfishta. Çdo pengesë institucionale ndaj drejtësisë vonon rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Në deklaratë u bëhet thirrje institucioneve:

a. të garantojnë që çdo proces hetimor dhe masat e nevojshme përgjatë tij të zhvillohen pa pengesa institucionale;

b. të shmangin çdo interpretim politik të proceseve të drejtësisë që i japin atribute gjyqësore Kuvendit në tejkalim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

c. të forcojnë standardet e transparencës dhe të llogaridhënies në jetën publike.

Organizatat kërkojnë gjithashtu nga organet e drejtësisë të vijojnë punën me vendosmëri dhe profesionalizëm, duke dëshmuar se pavarësia e tyre është e pacenueshme nga vullneti i mazhorancave politike.

Sipas tyre, publiku shqiptar pret që institucionet të dëshmojnë se askush nuk është mbi ligjin dhe se reforma në drejtësi mbetet një proces i pakthyeshëm në rrugën europiane të vendit.

Shoqëria civile thekson se do të vijojë të monitorojë këtë proces dhe të mbrojë parimet e shtetit të së drejtës, duke kërkuar që drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë, pavarësisht fuqisë apo pozicionit politik.

Nënshkruesit

  1. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
  2. Albanian Woman in Audiovisual (AWA)
  3. Qendra Shqiptare për Kërkim Ekonomik (ACER)
  4. Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCIDEV)
  5. Qendresa Qytetare
  6. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
  7. Instituti për Studime Politike (ISP)
  8. Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA)
  9. Together for Life
  10. Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS)
Artikulli i mëparshëmRama Takon Ambasadoren Amerikane Në Athinë, Kimberly Guilfoyle
Artikulli i radhësTrump: Kur Çmimet E Naftës Rriten, Ne Fitojmë Shumë Para