Ish-kryeministri I Kashmirit I Shpëton Për Mrekulli Një Atentati Me Armë Në Një Dasmë (VIDEO)

0

Ish-kryeministri i rajonit të Kashmirit të kontrolluar nga India, Farooq Abdullah, i ka shpëtuar për mrekulli një atentati me armë gjatë një ceremonie dasme, në një incident që ka tronditur opinionin publik në Indi.

Sipas informacioneve nga autoritetet dhe mediave lokale, 88-vjeçari u bë objekt i një sulmi me armë nga një person që u afrua shumë pranë tij, por plumbat nuk e goditën politikanin.

Pamjet e kamerave të sigurisë që qarkulluan në media tregojnë momentin kur një burrë nxjerr armën dhe hap zjarr nga afër, ndërsa njerëzit përreth reagojnë të alarmuar.

Autori U Arrestua Menjëherë

Policia identifikoi të dyshuarin si Kamal Singh Jamwal, i cili u arrestua menjëherë në vendngjarje.

Sipas raportimeve të mediave indiane, i arrestuari deklaroi se e kishte pritur këtë moment për rreth 20 vite dhe nuk tregoi shenja pendimi pas arrestimit.

Autoritetet po hetojnë motivin e sulmit, ndërsa informacionet e para sugjerojnë se ngjarja mund të ketë pasur një motiv personal.

Abdullah Shpëtoi “Për Një Fije Floku”

Incidenti u konfirmua edhe nga Omar Abdullah, djali i Farooq Abdullah dhe aktualisht kryeministër i rajonit të Jammu dhe Kashmirit.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai tha se babai i tij i shpëtoi atentatit “për një fije floku”, duke ngritur gjithashtu pyetjen se si një person i armatosur arriti të afrohej kaq pranë një figure politike që zakonisht gëzon nivele shumë të larta sigurie.

Askush Nuk U Lëndua

Në momentin e sulmit, Farooq Abdullah shoqërohej nga Zëvendëskryeministri Surinder Kumar Choudhary dhe këshilltari Nasir Sogami, të cilët konfirmuan se askush nuk u lëndua nga të shtënat.

Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse sulmi ishte një akt i izoluar apo kishte lidhje me faktorë të tjerë politikë apo personalë.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje çështjen e sigurisë së figurave politike në Indi, veçanërisht në rajone të ndjeshme si Kashmiri, ku tensionet politike dhe historike kanë qenë të vazhdueshme.

Artikulli i mëparshëmTrump: Kur Çmimet E Naftës Rriten, Ne Fitojmë Shumë Para