Europa dhe Conference League: Nottingham fiton ndaj Aston Villas, Braga e Rayo hedhin hapa drejt finales

0

Gara për finalet e Europa League dhe Conference League ka hyrë në fazën vendimtare, me ndeshjet e para gjysmëfinale që kanë dhënë avantazhe të ngushta, por jo llogari të mbyllura. Në mbrëmjen europiane spikatën fitorja minimale e Nottingham ndaj Aston Villas, suksesi i vonë i Bragës dhe hapi pozitiv i Rayo Vallecanos së Ivan Balliut.

Europa dhe Conference League: Nottingham fiton ndaj Aston Villas, Braga e Rayo hedhin hapa drejt finales

Nottingham fiton derbin anglez, por kualifikimi mbetet i hapur

Në Europa League, përballja angleze mes Nottingham dhe Aston Villas u mbyll me fitoren 1-0 të vendasve.

Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Chris Wood me penallti. Megjithatë, diferenca minimale lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit që do të luhet në Villa Park.

Braga e zgjidh në fund ndaj Freiburgut

Në Portugali, Braga mori një fitore 2-1 ndaj Freiburgut në minutat e fundit të ndeshjes.

Vendasit kaluan të parët në avantazh me Tiknaz, ndërsa Freiburg reagoi duke barazuar me Grife. Më pas Braga pati mundësinë të rikthehej në epërsi nga pika e bardhë, por Zalazar gaboi penalltinë.

Kur sfida po shkonte drejt barazimit, ishte Dorgeles ai që shënoi golin që i dha Bragës një avantazh të vlefshëm për ndeshjen e kthimit.

Rayo i Ivan Balliut merr avantazh minimal ndaj Strasbourgut

Në Conference League, Rayo Vallecano priti Strasbourg-un dhe fitoi 1-0 në një ndeshje që u vendos vetëm në pjesën e dytë.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa Zurawsky shënoi në nisje të 45 minutave të dyta për t’i dhënë epërsinë skuadrës spanjolle. Rayo arriti ta ruajë këtë rezultat deri në fund.

Për mbrojtësin e kombëtares shqiptare Ivan Balliu dhe skuadrën e tij, ky është një avantazh i lehtë, ndërsa finalisti do të përcaktohet në takimin e kthimit.

Crystal Palace më pranë finales pas 3-1 ndaj Shakhtarit

Në gjysmëfinalen tjetër të Conference League, Crystal Palace hodhi një hap të rëndësishëm drejt finales pasi mposhti 3-1 Shakhtarin.

Skuadra angleze gjeti golin që në minutën e parë me Sarr, por Shakhtar barazoi përkohësisht me Ocheretko. Më pas Crystal Palace rimori kontrollin e ndeshjes me golin e Kamadas.

Në fund, Larsen vulosi rezultatin 3-1, një epërsi e konsiderueshme për londinezët përpara ndeshjes së kthimit.

Pas sfidave të para, asnjë gjysmëfinale nuk mund të quhet e mbyllur përfundimisht, megjithëse disa skuadra kanë krijuar avantazh të rëndësishëm.

Vendimi për finalistët do të shtyhet për ndeshjet e kthimit, aty ku pritet të jepet verdikti përfundimtar për Stambollin dhe Leipzigu.

Artikulli i mëparshëmTragjedi familjare në SHBA: 28-vjeçarja vetëvritet pasi foshnja 4-muajshe vdiq
Artikulli i radhësKongresi i Brazilit rrëzon veton e Lulës dhe hap rrugë rishikimit të dënimit të Bolsonaros