Një hetim ndërkombëtar i mbështetur nga Europol dhe Eurojust ka çuar në goditjen e një rrjeti që, sipas versionit zyrtar të autoriteteve evropiane, mashtronte pacientë me sëmundje të rënda duke u shitur suplemente dhe ilaçe të falsifikuara si trajtime të ligjshme. Sipas të dhënave të bëra publike, aktiviteti i dyshuar kriminal ka gjeneruar të paktën 240 milionë euro në transaksione të paligjshme.

Hetim në 15 vende dhe një skemë që vepronte prej vitesh
Sipas autoriteteve, në operacion janë përfshirë 15 vende, në një bashkëpunim që nisi pas hetimeve të autoriteteve rumune. Hetimi zbuloi një rrjet të gjerë ndërkombëtar që vepronte në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Sipas materialit zyrtar, grupi kishte ngritur një strukturë profesionale dhe hierarkike që nga viti 2019. Përmes kompanive të krijuara enkas, ai tregtonte suplemente që nuk ishin të autorizuara për shitje, ndërsa përdorte edhe kompani legjitime në vende të ndryshme të Evropës për të mbuluar operacionet e tij.
Qindra faqe dhe profile të rreme për të kapur pacientët
Sipas hetimit, rrjeti shiti mbi 400 suplemente me emra të ndryshëm. Për t’i bërë sa më bindëse ofertat, ai ngriti qindra faqe interneti dhe llogari në rrjete sociale, duke përdorur shpesh emra personazhesh të njohur, si edhe figura të rreme mjekësh.
Autoritetet thonë se bashkëpunëtorët e grupit trajnoheshin për të krijuar profile false që të dukeshin legjitime dhe për të shmangur zbulimin nga platformat sociale. Pasi viktimat plotësonin formularët në faqet online, ato kontaktoheshin nga operatorë të qendrave të thirrjeve.
Paraqiteshin si mjekë dhe shtynin pacientët të linin trajtimin
Sipas versionit të autoriteteve, operatorët prezantoheshin si mjekë ose specialistë shëndetësorë dhe pretendonin se produktet që shisnin ishin trajtime reale për sëmundje serioze apo të pashërueshme.
Hetimi ka zbuluar se produktet e shpërndara nuk kishin efekt në trupin e njeriut dhe përmbanin përbërës të ngjashëm, pavarësisht pretendimeve se trajtonin sëmundje të ndryshme. Më shqetësues është fakti se, sipas hetuesve, disa viktima ndaluan trajtimin e përshkruar nga mjekët e tyre pasi ranë pre e kësaj skeme.
Kur shtoheshin ankesat, produktet riemërtoheshin
Sipas hetimit, skema funksiononte edhe përmes riciklimit të produkteve. Sa herë që një preparat grumbullonte shumë ankesa, ai riemërtohej dhe hidhej sërish në treg me një etiketë tjetër.
Autoritetet evropiane paralajmërojnë se barnat e paligjshme jo vetëm financojnë rrjete kriminale, por rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve. Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të blejnë barna vetëm nga farmaci online të regjistruara dhe të verifikuara nga autoritetet rregullatore.
Rasti nxjerr sërish në pah sa lehtë mund të shfrytëzohen hapësirat online për të mashtruar pacientë në nevojë, ndërsa kontrolli institucional shpesh vjen vetëm pasi dëmi është bërë.
Sipas Agjencisë Evropiane të Barnave, shitësit e ligjshëm online në BE identifikohen përmes logos zyrtare të regjistrimit pranë autoriteteve kombëtare.
