Presidenti Meta uron besimtarët myslimanë: Gëzuar Fitër Bajramin!

0

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë kudo ku ndodhen, ‘Gëzuar Fitër Bajramin’

‘Sot besimtarët myslimanë kremtojnë përkushtimin dhe sakrificën e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit, muajit të vetëpastrimit shpirtëror, të amnistisë hyjnore dhe solidaritetit njerëzor.

Agjërimi si rit abrahamik, për besimtarët risjell çdo vit nevojën e largimit nga ligësitë që janë pasojë e mospajtimit të arsyes me dëshirat.

Fitër Bajrami përcjell mesazhin e natyrshmërisë njerëzore, të paqes me veten, me njerëzit dhe universin në tërësi, nëpërmjet vetëprivimit ndaj egos dhe mposhtjes së kapriçove abuzive.

Suksesi i njeriut qëndron tek forca për të kapërcyer vështirësitë, me dashuri dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, siç porosit Profeti Muhamed: “Nuk do të jeni besimtarë deri sa ta doni njëri-tjetrin”.

Bashkoj lutjet e mia me ju, për jetimët, pensionistët, të sëmurët dhe të pamundurit, të cilët në këtë kohë pandemie e kanë patur më të vështirë.

Zoti ua pranoftë agjerimin gjatë Muajit të Bekuar të Ramazanit!

Gëzuar festën e Fitër Bajramit, me shëndet e mbarësi!

Me lutjet tuaja dhe të gjithë shqiptarëve, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku ndodhen.’

Artikulli i mëparshëmDështimi i Reformës në Drejtësi/ Dy anëtarë të tjerë të KPK-së vetë me probleme me drejtësinë
Artikulli i radhësSi do të bëhet falja e Bajramit nesër në kushtet e pandemisë?