Vila e Belës që po fundos Igli Taren: Si u kthye F-6 në provën kryesore të SPAK

0

Për vite me radhë vila F-6 në kompleksin luksoz të Dhërmiut ishte thjesht një pronë e regjistruar në letra. Sot ajo rrezikon të kthehet në një nga provat më të forta të SPAK në hetimin ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas dëshmive të mbledhura nga Prokuroria e Posaçme, nuk janë dokumentet ato që kanë nxjerrë në pah përdoruesin real të vilës, por njerëzit që e kanë parë çdo ditë: arkitektët që u morën me mobilimin dhe punëtorët që kujdeseshin për mirëmbajtjen e saj.

Deklarimet e tyre kanë krijuar një tablo krejt tjetër nga ajo e paraqitur deri tani. Sipas burimeve të hetimit, dëshmitarët kanë identifikuar Belinda Ballukun dhe familjarët e saj si personat që frekuentonin dhe përdornin vilën, ndërsa emri i Igli Tares shfaqet në dokumentacion si pronari formal i pasurisë.

Pikërisht këtu nis edhe nyja më e fortë e dosjes. SPAK po përpiqet të provojë nëse vila ishte një përfitim i fshehur korruptiv dhe nëse pronësia formale është përdorur për të maskuar përdoruesin dhe përfituesin real të saj.

Me vilën tashmë të sekuestruar dhe me hetimin që po zgjerohet, F-6 nuk është më një adresë pushimesh në bregdet. Ajo është kthyer në simbolin e një dosjeje që mund të prodhojë zhvillime të rëndësishme politike dhe penale në muajt e ardhshëm.

Artikulli i mëparshëmOperacion i SPAK dhe Policisë: 20 masa sigurie, në pranga disa biznesmenë për pastrim parash
Artikulli i radhësSPAK dhe Policia në operacion për grup të strukturuar kriminal, priten detaje