
Pesë vjet pas një investimi prej 1.1 milionë eurosh me para publike për ndërtimin e një poste policie dhe qendre shëndetësore në kufi me resortin Green Coast në Palasë, Korporata e Investimeve planifikon që ta japë truallin për hotele në këmbim të një qendre të re shërbimesh më lart në kodër.
Posta e Policisë dhe qendra shëndetësore u ndërtuan rreth 5 vjet më parë në Palasë me një fond prej 1.1 milionë eurosh.
Pesë vjet më parë, qeveria shqiptare shpenzoi 112 milionë lekë përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një poste policie, një urgjence mjekësore dhe shërbime të tjera mbështetëse pranë resortit luksoz “Green Coast” – e pagëzuar si “Qendra e Shërbimeve të Integruara Palasë”.
Si pjesë e investimit publik u ndërtua edhe një helipad brenda Përroit të Palasës, një monument i mbrojtur i natyrës, pavarësisht kundërshtimit të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura.
Pa kaluar ende pesë vjet nga investimi, Korporata e Investimeve Shqiptare po kërkon partnerë privatë për të ndërtuar hotele mbi truallin e Qendrës së Shërbimeve të Integruara në Palasë si dhe mbi tokën ku ndodhet posta e Policisë Kufitare disa kilometra më në jug.
Në këmbim, Korporata planifikon që investitorët privatë të ndërtojnë godina të reja për postën e policisë dhe shërbimet e urgjencës mjekësore më lart në kodrën e Palasës.
Sipas dokumenteve publike, godinat e ndërtuara në vitin 2021 “nuk mjaftojnë më” dhe përmes një gare publike të hapur në 16 korrik 2026, Korporata po kërkon që t’i ndërtojë ato për së dyti.
Por pagesa këtë herë nuk planifikohet të bëhet me para të buxhetit të shtetit, por me 4 mijë metra katrorë tokë publike në vijën e parë të bregdetit të Palasës dhe Dhërmiut.
Elira Kokona, drejtuese e Korporatës Shqiptare të Investimeve, e shpjegoi mbivendosjen e projektit me investimin e kryer vetëm pesë vjet më parë me nevojën për zgjerimin e hapësirave për shërbimet publike. Ajo theksoi se projekti i parë do të jetë një masterplan, ndërsa shtoi se “nuk duhet të ngelemi peng i asaj që është bërë më herët”.
“Është diçka që nuk po bëhet sot për nesër. Po merr parasysh zhvillimin e zonës edhe për një 10-vjeçar tjetër,” tha Kokona në një bisedë telefonike me BIRN.
Për ekspertët e planifikimit urban, strukturat publike duhet të kenë një jetëgjatësi prej disa dekadash dhe zhbërja e investimit brenda pesë vitesh shkakton një barrë të dyfishtë mbi taksapaguesit.
“Ose kjo është bërë gabim që në fillim dhe nuk është planifikuar në atë kohë për 20 vitet e ardhshme, ose kemi një gabim në planin e dytë (për të cilin shpallet gara). Njëri nga të dy është gabim,” i tha BIRN urbanistja Doriana Musai.
Gara për masterplan

Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) është një mekanizëm shtetëror i ngritur me synimin për të mobilizuar kapitalin privat në projekte me interes publik, duke shërbyer si ndërmjetës mes burimeve publike dhe zhvillimeve të mëdha infrastrukturore.
Megjithatë, KISH është kritikuar edhe si një mekanizëm për transferimin e pasurive publike me vlerë tek bizneset private.
Gara e hapur më 16 korrik nga KISH zhvillohet në një kohë kur mijëra qytetarë shqiptarë protestojnë prej javësh, mes të tjerash edhe kundër planeve për betonizimin e bregdetit në jug të vendit. Palasa konsiderohet një nga shembujt më domethënës të këtij transformimi.
Përmes garës, Korporata kërkon investitorë privatë që do të financojnë konkursin ndërkombëtar për përzgjedhjen e masterplanit dhe tre projekt-ideve arkitekturore.
Procesi është ndarë në dy faza. Në fazën e parë do të përzgjidhen kandidatët më të mirë mbi bazën e masterplanit dhe projekt-ideve arkitekturore, ndërsa në fazën e dytë do të vlerësohen ofertat teknike dhe financiare. Faza e parë mbyllet më 10 shtator 2026 dhe parashikon pesë finalistë.
Fituesi do të përzgjidhet mbi bazën e cilësisë arkitekturore dhe leverdishmërisë financiare për Korporatën.
Për të realizuar kalimin e pronave publike në vijën e parë të bregdetit, Korporata ka përdorur instrumentin ligjor të sipërmarrjes.
Skema parashikon që një kompani private të financojë dhe ndërtojë Qendrën e re të Shërbimeve Publike në Palasë, e përcaktuar si Zona 1 e projektit, në një sipërfaqe prej rreth 35 mijë metrash katrorë pyll pranë daljes së tunelit të Llogarasë.
Në këmbim, investitori privat do të fitojë të drejtën të zhvillojë hotele luksi dhe struktura akomoduese në dy prona shtetërore që i janë kaluar Korporatës me vendim të Këshillit të Ministrave në maj të këtij viti.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 2,555 metrash katrorë pranë resortit Green Coast dhe Përroit të Palasës, si dhe një sipërfaqe tjetër prej 1,500 metrash katrorë buzë detit në Dhërmi, ku ndodhet pika ekzistuese kufitare.
Në total, investitori privat do të ketë akses në mbi 4,055 metra katrorë tokë publike në një nga zonat me vlerën më të lartë të tregut imobiliar në Shqipëri, ku parashikohet ndërtimi i hoteleve.
Si kusht i kontratës, ofertuesi duhet t’i kalojë Korporatës jo më pak se 35 për qind të sipërfaqes së ndërtimit.
Dokumentet e garës e justifikojnë ndërtimin e qendrës së re të shërbimeve publike me rritjen e fluksit turistik.
“Përfituesit kryesorë janë banorët e zonës dhe vizitorët, të cilët do të përfitojnë nga prania më e afërt dhe më e organizuar e strukturave publike, si dhe nga një mjedis më i sigurt dhe më funksional gjatë gjithë vitit, veçanërisht në periudhat me fluks të lartë turistik,” thuhet në dokumentacionin e garës.
Një tjetër përfitim i parashikuar është mundësia që sektori privat të zhvillojë aktivitete hotelerie dhe shërbime të lidhura me to.
Projekti parashikon rreth 900 metra katrorë për stacionin policor dhe atë kufitar, 170 metra katrorë për zjarrfikësen, 217 metra katrorë për qendrën shëndetësore, si edhe 730 metra katrorë për ambiente pune dhe akomodimi të Gardës së Republikës.
Arsyeja e përfshirjes së Gardës së Republikës në këtë projekt nuk është bërë e qartë.
Elira Kokona e mbrojti projektin si një “domosdoshmëri strategjike”, duke argumentuar se posta aktuale e policisë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për parkimin e automjeteve të sekuestruara apo të bllokuara në zonë.
E pyetur për investimin publik të kryer vetëm pesë vite më parë, ajo këmbënguli se bëhet fjalë për planifikim afatgjatë.
“Projekti i parë do të jetë një masterplan dhe mund të dalë që nuk ka nevojë për hapësira të reja për policinë,” tha ajo.
Urbanistja Doriana Musai vlerëson se këto plane nuk duken të justifikuara dhe se ndërtimi i qendrave të reja të shërbimeve do të kishte kuptim vetëm në rast të një rritjeje të paplanifikuar të popullsisë përtej kapaciteteve ekzistuese.
“Zhvillimi i territorit nuk ka pësuar ndonjë transformim të qenësishëm në pesë vitet e fundit. Ai është zhvilluar gradualisht, sepse investimet dhe lejet në atë zonë janë dhënë shumë më herët,” tha Musai.
“Rreziku është që edhe kjo qendër e re të dalë jashtë funksionit në një kohë të shkurtër,” përfundoi ajo.
Burimi: Reporter.al
