
Sfondi i ekonomisë globale po kalon një periudhë me luhatje të forta dhe tronditje të vazhdueshme në tregjet e energjisë. Në pothuajse çdo vend të rajonit dhe më gjerë, kabinetet qeveritare po kërkojnë me ngulm mekanizma për të lehtësuar barrën mbi konsumatorin përfundimtar — duke ulur akcizat, TVSH-në apo tarifat shtesë mbi lëndët djegëse. Mirëpo, logjika e politikave tona ekonomike duket se udhëton në drejtim të kundërt.
Vendimi më i fundit për miratimin e sistemit të ri të shënjimit të karburanteve (Fuel Integrity Solution) është shembulli më i freskët i këtij paradoksi. Podiumi qeveritar e prezanton këtë lëvizje nën petkun e “gjurmueshmërisë”, “garantimit të cilësisë” dhe “luftës ndaj evazionit fiskal”. Por prapa fjalëve të bukura burokratike fshihet një faturë e re financiare që rëndon sërish mbi kompanitë tregtuese dhe, në mënyrë të pashmangshme, mbi xhepat e qytetarëve.
Tarifa e shënjimit nuk është një histori e re. Ajo zë fill që përpara vitit 2013, kur nën qeverisjen Berisha iu dha koncesionarit “GFI” me një kosto prej rreth 0.74 lekë për litër. Por në vend që ky shërbim të lehtësohej apo të rishikohej në dobi të tregut pas përfundimit të kontratës, skema jo vetëm që rinovohet me një operator të ri (ALBTrace CO), por kostoja e saj fryhet ndjeshëm.
Me faturimin e ri prej 6.5 eurosh për 1 000 litra (pa TVSH), kur i shtohet TVSH-ja (20%) dhe kursi i këmbimit apo kostot operative përkatëse, kostoja reale e shënjimit që do të shkarkohet në treg ngjitet në rreth 1.95 lekë për litër.
Me fjalë të tjera: barra e këtij shërbimi efektivisht është më shumë se dyfishuar krahasuar me tarifën e vjetër koncesionare.
Në një treg ku çmimi i naftës dhe benzinës është tashmë ndër më të lartët në rajon për shkak të taksimit të lartë natyror (akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja), çdo lek shtesë është një goditje e drejtpërdrejtë për:
- Biznesin e vogël e të mesëm, që ka kosto primare transportin.
- Sektorin e bujqësisë, i cili përballet me rritje të çmimeve të prodhimit.
- Konsumatorin e zakonshëm, i cili e sheh fuqinë e tij blerëse të gërryhet çdo ditë.
Shteti ka secilin instrument kushtetues, administratën doganore dhe tatimore për të kontrolluar cilësinë dhe për të luftuar evazionin pa pasur nevojë t’i transferojë kostot e kontrollit të vet te një privat dhe te xhepat e qytetarëve. Të rritësh tarifat e kontrollit në një kohë kur tregjet globale janë në presion, nuk është më thjesht një vendim administrativ është një zgjedhje politike që reflekton se ku qëndrojnë prioritetet: te mbledhja e tarifave me çdo kusht, apo te mbrojtja e stabilitetit ekonomik të vendit.
