Shkencëtari kryesor i Bashkimit Evropian dha dorëheqje, pas përgjigjes “zhgënjyese” të Brukselit ndaj pandemisë së koronavirusit.
Mauro Ferrari, president i Këshillit Evropian të Kërkimeve, e kritikoi BE-në për refuzimin e propozimit të tij për të krijuar një program shkencor, në shkallë të gjerë, për luftimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Në një deklaratë të publikuar në gazetën Financial Times, Ferrari po ashtu tha se shtetet anëtare kanë dështuar të koordinohen për politikën e kujdesit shëndetësor.
Komisioni Evropian nuk e ka komentuar ende dorëheqjen e Ferrarit.
Italia dhe Spanja – të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian – kanë numrin më të madh të viktimave nga koronavirusi në botë: përkatësisht 17,127 Italia dhe 14,045 në Spanjë.
Mbi 10,000 viktima ka edhe Franca.