Situata e zjarreve mbetet e tensionuar në disa zona të vendit, edhe pse versioni zyrtar flet për "normalizim" në një pjesë të vatrave. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Mbi 500 forca në terren, ndërhyrje edhe nga ajri
Sipas të dhënave të bëra publike nga Ministria e Mbrojtjes, në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 533 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje janë përfshirë edhe 186 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht, sipas raportimit zyrtar, në terren vijojnë të operojnë 120 efektivë të FA-së, 2 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Dajti mbetet një nga pikat më të ndjeshme
Në Dajt, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës. Aty po operohet me mbështetjen e 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterëve.
Për zonën e Priskës, Farkës dhe hapësirave përreth, autoritetet thonë se ndërhyrja e 30 forcave të MZSH-së me 6 mjete ka bërë të mundur vendosjen e zjarrit nën kontroll. Versioni zyrtar shton se nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Kruja dhe Dibra, operacione ende të hapura
Në Krujë po vazhdon puna në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Sipas autoriteteve, ndërhyrjet nga toka, të mbështetura edhe nga ajri gjatë ditës së mëparshme, kanë ndihmuar në përmirësimin e situatës.
Në Zidoll, fokusi mbetet te izolimi dhe fikja e plotë e zjarrit. Edhe këtu, institucionet deklarojnë se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Një nga operacionet më të rëndësishme vijon në Gurë-Lurë, në Dibër, ku hapja e korridoreve me mjete dhe forca ka penguar përparimin e flakëve drejt banesave. Gjatë ditës së sotme operacioni po mbështetet nga 50 efektivë të FA-së, 2 avionë Air Tractor dhe 1 autobot uji.
Bulqiza, Lezha, Elbasani dhe Shkodra me vatra ende në punë
Në Qafë Helmes, në aksin Bulqizë-Selishtë, operacioni po vijon me mbështetjen e 20 efektivëve të Forcave të Armatosura. Edhe për këtë zonë, raportimi zyrtar thotë se nuk ka rrezik për banesat.
Puna për izolimin dhe shuarjen e vatrave të mbetura vazhdon edhe në Lezhë, Elbasan dhe Shkodër, konkretisht në Lufaj, Dardhë dhe pyjet e Tërbunit.
Nga ana tjetër, autoritetet raportojnë se vatrat në Përmet, Trojë, Qukës dhe Paulesh janë shuar plotësisht.
Bilanci i 24 orëve të fundit tregon një shtrirje të gjerë të zjarreve në disa qarqe, pavarësisht njoftimeve optimiste nga institucionet për pjesë të caktuara të territorit.
Me 8 vatra ende aktive, prova reale mbetet izolimi i plotë i zjarreve dhe shmangia e përhapjes së tyre pranë zonave të banuara.
