Uragani “Lala” trondit Hawain: përmbytje, rrëshqitje dhe 115 mijë familje pa energji

0

Hawaii po përballet me pasoja të rënda nga uragani “Lala”, i cili ka sjellë përmbytje, rrëshqitje dheu dhe ndërprerje masive të energjisë. Sipas raportimeve të cituara nga BBC dhe autoriteteve lokale, situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa reshjet e dendura dhe erërat e forta pritet të vazhdojnë.

Uragani “Lala” trondit Hawain: përmbytje, rrëshqitje dhe 115 mijë familje pa energji

Big Island nën presionin e ujit dhe baltës

Zona më e goditur deri tani është Big Island, pranë të cilit kaloi uragani. Të paktën dy zona janë përfshirë nga përmbytjet dhe disa banesa janë marrë nga uji.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacionet për gjetjen e banorëve që mund të jenë prekur, por ndërhyrja është vështirësuar nga ujërat e rrëmbyeshëm, mbeturinat dhe gurët e mëdhenj që kanë bllokuar terrenin.

Erëra të forta, reshje ekstreme dhe një viktimë

Sipas të dhënave zyrtare, “Lala” arriti fuqinë e një uragani të kategorisë së parë të shtunën, me erëra deri në 147 kilometra në orë. Në disa zona priten deri në 89 centimetra reshje, një nivel që rrit ndjeshëm rrezikun për përmbytje të rënda dhe rrëshqitje dheu.

Guvernatori i Hawait, Josh Green, bëri të ditur se një person humbi jetën në një aksident automobilistik të lidhur me kushtet e këqija të motit në Big Island. Rrugë të shumta raportohen të dëmtuara ose të bllokuara nga uji, pemët e rrëzuara dhe masivet e dheut.

Transporti ajror dhe rrjeti energjetik në goditje

Stuhia ka goditur edhe transportin ajror. Rreth 190 fluturime janë shtyrë, ndërsa në aeroportin Ellison Onizuka Kona International u anulua rreth 40% e fluturimeve të së shtunës. Në Hilo International, anulimet arritën në rreth 80%.

Ndërkohë, raportimet flasin për rreth 115 mijë familje pa energji elektrike në të gjithë Hawaiin. Tre spitale kanë humbur furnizimin me energji, por kanë vijuar funksionimin përmes gjeneratorëve rezervë.

Paralajmërime për të tetë ishujt kryesorë

Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar paralajmërimet më të forta për pjesën juglindore të Big Island, zona më pranë qendrës së uraganit. Sipas autoriteteve, lumenjtë mund të dalin me shpejtësi nga shtrati dhe mund të nevojiten evakuime si edhe operacione të tjera shpëtimi.

Moti i keq ka prekur edhe ishullin Maui, ku disa banorë kanë mbetur pa ujë. Në disa zona, ekipet e emergjencës janë detyruar të ndërpresin punën për shkak të reshjeve intensive dhe pemëve të rrëzuara. Autoritetet kanë hapur edhe qendra strehimi për banorët që mund të detyrohen të lënë banesat e tyre.

Edhe pse “Lala” klasifikohet si uragan i kategorisë së parë, autoritetet po insistojnë se rreziku kryesor mbetet sasia ekstreme e reshjeve, jo vetëm forca e erës.

Pamjet e publikuara nga Departamenti i Transportit i Hawait tregojnë rrugë të mbuluara nga ujërat, ndërsa situata në terren mbetet e rënduar në disa ishuj të arkipelagut.

Artikulli i mëparshëmBalliu sulmon qeverinë pas ngjarjeve në Elbasan e Sarandë: “Krimi po lëviz lirshëm”
Artikulli i radhësNga kujtimet e Jusuf Vrionit te zemërimi i sotëm: dilema që ngre një pasdite në Tiranë