Rritja e turizmit është paraqitur shpesh si mundësi për fermerët shqiptarë, por shifrat po tregojnë një pamje më pak optimiste. Në vend që kërkesa e shtuar të ushqente prodhimin vendas, tregu po mbushet edhe më shumë me mallra të ardhura nga jashtë, duke nxjerrë në pah boshllëqet e sektorit të bujqësisë dhe mungesën e një përgjigjeje efektive institucionale.

INSTAT: 606.4 mijë tonë ushqime të importuara në 7 muaj
Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, Shqipëria importoi 606.4 mijë tonë produkte ushqimore në periudhën janar-korrik 2026. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, sasia ishte 537.4 mijë tonë.
Kjo do të thotë se importet ushqimore u rritën me rreth 69 mijë tonë, ose 12.8%. Shifrat sugjerojnë se zgjerimi i konsumit në vend nuk po përkthehet automatikisht në më shumë treg për fermerët vendas, por po favorizon importuesit.
Turizmi u rrit, por jo edhe furnizimi nga fermat shqiptare
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, numri i turistëve arriti në 5.1 milionë shtetas të huaj, ose 6.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në teori, një fluks i tillë duhej të krijonte më shumë hapësirë për prodhimin bujqësor vendas.
Por të dhënat tregojnë një tjetër prirje. Sipas këtij bilanci, kërkesat e strukturave akomoduese, restoranteve dhe bujtinave nuk janë përkthyer në zgjerim të sipërfaqeve të mbjella, ndërsa një pjesë e tregut po orientohet drejt produkteve të importuara, përfshirë edhe për shkak të kostove më të larta të frutave dhe perimeve vendase.
Drithërat mbajnë peshën kryesore të rritjes
Pesha më e madhe në zgjerimin e importeve i takon drithërave. Në 7-mujorin e vitit 2026 u importuan rreth 239.3 mijë tonë drithëra, nga 194.4 mijë tonë që ishin një vit më parë.
Rritja rezulton 44.9 mijë tonë, ose 23.1%. Vetëm ky grup përbënte 39.5% të të gjithë sasisë së ushqimeve të importuara dhe afërsisht 65% të shtesës vjetore të importeve ushqimore. Gruri dhe misri mbeten në krye të kësaj prirjeje.
Rritje edhe për perimet, frutat, mishin dhe kafshët e gjalla
Përveç drithërave, në rritje kanë qenë edhe importet e perimeve, që u shtuan me 4.5 mijë tonë, ose 11.1%, duke arritur në 45.5 mijë tonë. Në të njëjtën kohë, sasitë e frutave dhe arrave të importuara arritën në 64.7 mijë tonë, me rritje 5.1%.
Importet e mishit dhe të brendshmeve të ngrënshme u rritën me 4.9%, në 28.1 mijë tonë, ndërsa kafshët e gjalla shënuan rritje edhe më të fortë, me 19%. Vetëm në korrik, grupi “Ushqime, pije dhe duhan” dha 0.8 pikë përqindjeje kontribut në rritjen e importeve totale të vendit.
Prodhimi vendas nuk po ndjek tregun
Të dhënat zyrtare të bujqësisë tregojnë se prodhimi vendas po mbetet pas ritmit të kërkesës. Në vitin 2025, prodhimi i grurit ra me 10.1%, ndërsa ai i patates u ul me 7.2%.
Edhe aty ku ka rritje, ritmi duket i pamjaftueshëm. Prodhimi i perimeve u rrit vetëm me 1.5%, shumë më pak se rritja 11.1% e importeve të perimeve gjatë 7-mujorit të këtij viti. Kjo tablo shton pikëpyetje për politikat e sektorit dhe për aftësinë e institucioneve, përfshirë ministri i bujqesise, për ta kthyer kërkesën e tregut në mbështetje reale për prodhimin vendas.
Në vend të një zinxhiri që lidh turizmin me fermën shqiptare, shifrat po tregojnë një treg që po mbështetet gjithnjë e më shumë te doganat. Përtej optimizmit zyrtar, bilanci i deritanishëm flet për një bujqësi që po humb hapësirë pikërisht në momentin kur kërkesa duhej ta favorizonte më shumë.
