Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka quajtur të pafalshme dhe mizore që prej 4 ditësh dhjetëra shqiptarë janë lënë në mëshirë të fatit, në tokë asnjanëse mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Bëhet fjalë për rreth 60 persona të cilët për shkak se nuk kanë marrë lejet përkatëse nga ambasadat apo konsullatat nuk mund të lejohet të hyjnë në territorin e shtetit të tyre. Ata po kalojnë netët në të ftohtë dhe orët e fundit kanë bllokuar rrugën për kalimin e kamionëve, por qeveria përsëri në mënyrë absurde nuk po i jep zgjidhje problemit të tyre, duke shkelur haptas të drejtat kushtetuese dhe njerëzore të qytetarve shqiptarë.
Sipas Bashës, një braktisje e tillë mizore përbën një krim kaq të rëndë, sa asnjë shoqëri e civilizuar nuk mund ta falë, dhe një prokurori qoftë dhe me një fije integritet nuk mund ta lërë pa e hetuar.
“I bëj thirrje qeverisë të lejojë këta bashkëqytetarë të hyjnë në atdheun e tyre. Të merren masa për transportin dhe strehimin e tyre në qendrën për karantinim në konvaleshencën e Durrësit.
Të bëhet testimi i tyre dhe më pas në varësi të gjendjes shëndetësore të dërgohen pranë shtëpive dhe familjeve të tyre. Braktisja e tyre në këtë kohë të vështirë është e papranueshme, është kriminale” – u shpreh Basha.