Regjimet autoritare në kohën e virusit

0

Nga Michael Hobbes, Huffington Post

Që nga fillimi i krizës, demokracitë e përparuara – madje edhe ato të qeverisura nga partitë e ekstremit të djathtë – iu kanë vënë veshin ekspertëve të shëndetit publik. Ndërsa udhëheqësit autoritarë nëpër botë, e kanë menaxhuar COVID-19, sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi, me ditirambe paranojash dhe mohimesh.

Ndonëse angazhimi kundër koronavirusit dhe ndihma në para për punëtorët ka të ngjarë ti rrisë shanset e tij për të fituar zgjedhjet në Nëntor, Trump i shpenzoi dy muajt e fundit fillimisht duke mohuar ekzistencën e virusit, pastaj duke e minimizuar rëndësinë e tij, dhe në fund duke nënshkruar një paketë lehtësuese shumë më të vogël në krahasim me atë që nevojitet.

Për studiuesit e autoritarizmit modern, veprimet e Trump nuk janë edhe aq të pashpjegueshme.

30 vitet e fundit i kanë dhënë hapësirë daljes në skenë të një tipi të ri udhëheqësi dhe një mënyrë të re të të bërit politikë. Rusia e Putinit, Brazili i Bolsonaro, Hungaria e Viktor Orbán, përfaqësojnë një tendencë globale të largimit nga demokracia, por duke e ndryshuar mënyrën se si studiuesit e shkencave politike po i mendojnë diktaturat.

Ronald Inglehart, profesor i shkencave politike në Universitetin e Miçiganit dhe autor i “Evolucioni kulturor: Motivimet e njerëzve po ndryshojnë, dhe riformësojnë botën,” thotë se po të verifikohen të gjithë treguesit një për një, Trumpi përputhet me përshkrimin klasik të një autoritaristi populist.

“Mesazhi është gjithnjë i njëjtë: mblidhuni dhe vihuni prapa liderit të fortë, i cili është mundësia e vetme për t’ju mbrojtur nga rreziqet”.

NJË TIP I RI AUTORITARIZMI

Diktaturat nuk janë më ato që kanë qenë më parë. Që me mbarimin e Luftës së Ftohtë, regjimet autoritariste kanë ndryshuar në dy mënyra të rëndësishme që kanë marrë tashmë hov të jashtëzakonshëm me përhapjen globale të koronavirusit.

Së pari, diktatorët modernë kanë më shumë prirje të imitojnë karakteristikat e vendeve liberale. Sipas Erica Frantz, studiuese e shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, shumica e diktaturave të sotme pretendojnë të jenë demokratike.

Ndryshe nga liderët autoritarë të shkollës së vjetër, si Adolf Hitler, Mao Ce Duni, apo Jozef Stalini, diktatorët modernë ka më shumë gjasa të mbajnë zgjedhje të rregullta apo dhe të lejojnë protesta popullore.

Në të kaluarën, diktatorët nuk e çanin shumë kokën të përpiqeshin për të mashtruar njerëzit se regjimi i tyre ishte shtypës. Kurse të sotmit nuk e terrorizojnë hapur popullin e tyre, por duan ta bindin përmes propagandës dhe dezinformimit shtetëror se ata po bëjnë një punë të mirë.

Sipas Frantz, kjo është një formë më e fshehur dhe më e rafinuar autoritarizmi.

Sot, kur bëhet fjalë për gjëra të tilla si kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit apo mbylljen e gojës së kritikës politike, sunduesit autoritarë janë të kujdesshëm për të ruajtur në publik besueshmërinë e mohimit që bëjnë. Ndaj diktatorët e rafinuar kanë nga pas një numër të madh të qytetarësh që nuk mendojnë se jetojnë në një diktaturë.

Në ditët e sotme, diktatorët i realizojnë qëllimet e tyre shtypëse  përmes procedurave dhe teknikave administrative në dukje të padëmshme. Në vend të anullimit të zgjedhjeve, ata sabotojnë qëndrat e votimit në zonat ku ata janë jopopullorë. Në vend të vrasjes së kundërshtarëve të tyre politikë, ata iu kërkojnë atyre të mbledhin një numër të pamundur firmash për t’u shpallur kandidat dhe rregjistruar emrin në fletëvotime. Në vend të censurimit të gazetarëve, ata i padisin për shpifje ose iu dërgojnë për kontroll auditimet tatimore.

Ndonëse vërtet ekzistojnë disa përjashtime, si në Korenë e Veriut, Myanmar, dhe Iran, diktaturat e sotme, së jashtmi ngjasojnë shumë me demokracitë: Ato janë bërë pjesë e ekonomisë globale, janë anëtare të institucioneve ndërkombëtare, dhe janë mjaft të zotët për t’ia fshehur natyrën e tyre të vërtetë shumicës së popullit të vet.

Kjo strategji është e shkëlqyeshme për të qëndruar në pushtet, por është e tmerrshme për menaxhimin e një krize si kjo e COVID-19. Shumica e liderave autoritaristë në kohët e sotme janë shumë më të shqetësuar të “duken kompetentë” sesa “të jenë vërtet kompetentë”.

Në rrethana normale, ata mund të përdorin propagandën, mediat sociale apo qoftë edhe konferencat dhe deklaratat ditore për shtyp për t’i bërë qytetarët të besojnë se po i japin dërrmën korrupsionit ose se po e menaxhojnë ekonominë në mënyrë mjeshtërore.

Për një farë kohe, ata edhe ia arrijnë të krijojnë një iluzion për suksesin e lidershipit të tyre. Por ky iluzion nuk zgjat shumë. Sepse deklaratat e tyre publike me përmbajtje rozë shumë shpejt fillojnë të mos përputhen me gjëndjen e popullsisë së tyre në jetën e përditshme reale, dhe vlerësimet për lidershipin e tyre fillojnë ti afrohen gjithnjë e më shumë realitetit.

Sipas Pippa Norris, profesor i shkencave politike në Universitetin e Harvardit, në planin afatgjatë, nëse vdekjet vazhdojnë të rriten dhe situata do të jetë me të vërtetët aq fatkeqe sa ç’thonë parashikimet, kjo do t’i bjerë shumë shpejt në kokë Trumpit. Ky është momenti kur gjërat fillojnë të bëhen të rrezikshme.

Deri më tani, liderët autoritaristë të kohëve tona i janë përgjigjur rënies së mbështetjes popullore për ta përmes miratimit të legjislacionit “të gjëndjes së jashtëzakonshme” që forcon pushtetin e tyre dhe mbyt çdo zë kundër. Turqia ka filluar të përndjekë qytetarët që kritikojnë Erdoganin në mediat sociale. Rusia ka ndaluar shpërndarjen e “lajmeve të rreme”, dmth të çdo lajmi që e bën Putinin të duket keq. Javën e fundit, si në përsëritje mahnitëse të viteve ’30, Orbán i Hungarisë i dha të drejtën dhe fuqinë vetes për të sunduar pafundësisht përmes thjesht nxjerrjes së VKM-ve.

Këto gjëra, sipas Frantz, janë pikërisht ato që amerikanët duhet të kenë mëndjen të shikojnë tek Trump, si zgjerimi i fuqive të Presidentit në rastin e gjëndjes së jashtëzakonshme, ndryshimin e kohës së mbajtjes së zgjedhjeve, si dhe gjithçka tjetër që do përpiqet të bëjë duke anashkaluar zërat kritikë.

Nëse rritja për vlerësimin e lidershipit të tij rezulton afatshkurtër dhe fillon të venitet, Trump mund të ndërmarrë hapa të dëshpëruar për të mbrojtur veten nga përgjegjësia dhe llogari-dhënia.

AUTORITARISTËT VLERËSOJNË BESNIKËRINË MBI KOMPETENCËN

Ndryshimi i dytë që ka ndodhur me rregjimet autoritariste është ajo që studiuesit e shkencave politike e quajnë “personalizim i qeverisjes”: diktatorët e sotëm i qeverisin vendet e tyre më shumë si një kult dhe vullnet individual sesa si ekip qeverisës.

Deri në fillim të viteve 2000, një diktator tipik ishte një udhëheqës ushtarak, një monark, ose edhe kryetari i një partie politike të konsoliduar. Kur diktatori fitonte pushtetin, ai sillte me vete në postet qeverisëse një hierarki të tërë.

Ajo që i bëri Stalinin, Hitlerin, apo Maon udhëheqës aq të rrezikshëm nuk ishin edhe aq vetëm politikat e tyre të genocidit, por edhe kompetenca e tyre për t’i zbatuar ato deri në fund.

Pas viteve 2000, gjenerata e re e diktatorëve ka më shumë të ngjarë të shfaqen në modelin që Inglehart dhe Norris e quajnë “autoritaristë populistë”, udhëheqës karizmatikë që premtojnë të jenë busulla dhe zgjidhja politike për zhgënjimet e mbështetësve të tyre.

Sipas Norris, autoritaristët populistët e përshkruajnë veten si njerëz që vijnë nga jashtë sistemit apo elitave politike. Bolsonaro në Brazil, Erdogani në Turqi, dhe Orbani në Hungari, erdhën në pushtet duke u mburrur për mungesën tek ata të përvojës politike, duke fajësuar grupet të ndryshme për problemet e vendit të tyre, dhe duke premtuar rivendosjen e vlerave tradicionale.

Autoritarizmin e ushqen pasiguria, frika dhe tribalizmi. Shumica e liderëve autoritaristë populistë në botë iu drejtohen atyre shtresave të popullsisë që janë më të moshuara, më rurale dhe konservatore, apo asaj shumice që mendojnë se po humbasin kontrollin e tyre mbi pushtetin. Këto grupe mendojnë se statusi dhe fuqia e tyre janë nën kërcënim dhe ata janë të gatshëm të votojnë për dikë që premton të flasë për ta.

Por sidoqoftë, ndryshe nga diktatorët tradicionalë, autoritaristët e ditëve tona shpesh nuk kanë aftësi – ose, shpesh herë dhe interes – të vënë në jetë deri në fund me kompetencë axhendën e tyre.

Në vend që të punësojnë administratorë me përvojë, liderët autoritaristë zakonisht emërojnë në në poste besnikë ndaj tyre apo dhe anëtarë të familjes. Kur liderët autoritaristë nuk arrijnë të mbajnë premtimet që kanë bërë në fushatë elektorale, mosrealizimet i justifikojnë nga njëra anë me komplotet kundër tyre dhe nga ana tjetër me sabotatorët brënda vetë adiministratës së tyre.

Pippa Norris, studiues i shkencave politike në Universitetin e Harvardit thotë se populistët autoritaristë nuk iu besojnë shkencës dhe ekspertizës në përgjithësi dhe po ashtu ata i shohin me mosbesim faktet shkencore. Ky qëndrim përfaqëson një filozofi që përcakton se si ata e shohin dhe konceptojnë gjithçka që bëjnë.

Kjo shpjegon pse liderët autoritaristë të kohëve të sotme i janë përgjigjur situatës së COVID-19 me paranojë dhe mohim: Ata i kanë pastruar me ndërgjegje administratat e tyre nga cilido që guxon t’iu tregojë atyre të vërtetën e hidhur për performancën e tyre. Reagimi i Trump ndaj COVID-19 tregoi të njëjtën dinamikë: mohoi shkencën, spastroi vigjëluesit dhe deklaruesit e të vërtetës nga administrata, dhe instaloi në pozicionet kryesore anëtarë të familjes të pakualifikuar për të mbajtur postin.

Sipas Franz, kur liderdët spastrojnë institucionet dhe heqin qafe njerëz që nuk janë besnikë ndaj tyre, kjo çon në sjellje të plot gabime. Sepse ata izolohen nga informacioni. E rrethojnë veten me njerëz që iu thonë vetëm “po, si urdhëron”. Dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse një recetë paaftësie.

Botohet me shkurtime. Titulli është i redaksisë. Përktheu Edmond Çata.

Artikulli i mëparshëmSPAK nis hetimin: Regjistrohet çështja penale për tenderin e ushqimeve të Ministrisë së Mbrojtjes
Artikulli i radhësGjermani/ Rritet ndjeshëm numri i vdekjeve në 24 orët e fundit