Pati një lloj çlirimi kur kryeministri Edi Rama deklaroi se fasha e orarit për lëvizje shtyhet deri në 17:30. Por policia e shtetit sqaron se kjo fashë e re nuk nënkupton “qarkullim të pakufizuar” të mjeteve duke treguar edhe oraret e lëvizjes.
“Është e lejuar vajtja dhe kthimi në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi në banesa në fashën e dytë orare 16:00-17:30”, – thuhet në njoftim.
Policia thekson se ata që aplikojnë për leje pranë e-albania nuk mund të largohen më shumë se 500 metra nga banesa e tyre pasi në të kundërt do të gjobiten.
NJOFTIMI:
Duke konsideruar urdhrin e ri të Ministrisë së Shëndetësisë nr. 256, datë 10 prill 2020, ku është zgjeruar fasha orare e lejuar për qarkullimin e mjeteve nga ora 05:00 deri në 17:30, Policia e Shtetit tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve të kategorive të lejuara dhe të autorizuara dhe sqaron që kjo fashë orare nuk nënkupton “qarkullimin e pakufizuar” të mjeteve të mësipërme.
Është e lejuar vajtja dhe kthimi në qendrat e punës, i punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi në banesa në fashën e dytë orare 16:00-17:30.
Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve të përftuara, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen.
Gjithashtu, të gjithë qytetaret të cilët janë pajisur me autorizim individual nga aplikacioni e-Albania nuk duhet të largohen më shumë se 500 m nga banesa, pasi në rast konstatimi të shkeljes së këtij rregulli, do të ndëshkohen me masë administrative njësoj si ata që lëvizin pa leje.
Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë me rigorozitet çdo masë kufizuese, duke kontribuuar të gjithë së bashku për të parandaluar përhapjen e COVID-19.