Torta me krem djathi (ajo që shumë shpesh njihet si cheesecake, por që është një fjalë e huazuar nga anglishtja) është një ëmbëlsirë e cila nuk ka nevojë për pjekie, por vetëm për pak durim në formimin e shtresave. Nuk është tepër e ëmbël, pra perfekte për ata që ashtu si mua, duan një ëmbëlsirë “joëmbëlsirë”.
Baza është e përbërë nga biskota dhe gjalp (klasike), shtresa e dytë nga krem djathi, pana për ëmbëlsira dhe kos frutash, ndërsa shtresa e tretë vetëm nga luleshtrydhe dhe lëng limoni jeshil. Le të shohim më poshtë sesi ta pregatisim:
Përbërësit
…për bazën
- 240gr biskota Digestive (lloj biskote, si alternativë mund të përdorni cdo lloj tjetër biskote që ju pëlqen) të thërrmuara
- 120gr gjalp pa kripë, të shkrirë në mikrovalë
…për shtresën e dytë
- 300gr krem djathi klasik
- 200gr kos frutash me luleshtrydhe
- 150gr pana për ëmbëlsira
- 4 lugë sheqer pluhur
- 1 lugë mjalt
- lëkurën e 1 limoni jeshil
- lëngun e 1/2 limoni jeshil
- 12gr xhelatinë (6 fleta)
…për shtresën e tretë
- 300gr luleshtrydhe në copa
- 2 lugë sheqer pluhur
- lëngun e 1/2 limoni jeshil
- 8gr xhelatinë (4 fleta)
Formojmë bazën e tortës duke bashkuar biskotat e thërrmuara me gjalpin e shkrirë.
Marrim një tavë rrumbullake me anët që hapen (23cm) dhe shtrojmë letër furre në fundin e saj, gjithashtu edhe tek anët. Hedhim në të biskotat të cilat tashmë e kanë thithur gjalpin dhe e ngjeshim shume mirë me dorë. E vendosim në frigorifer ndërkohë që pregatisim kremin.
Vendosim në ujë të ftohtë fletët e xhelatinës që të zbuten.
Bashkojmë në një tas të madh kremin e djathit me kosin e frutave dhe sheqerin pluhur. Shtojmë mjaltin, lëkurën e limonit jeshil dhe lëngun e tij duke vazhduar përzierjen.
Tashmë që fletët e xhelatinës janë zbutur, i shtrydhim mirë me dorë dhe i vendosim të shkrijnë në zjarr të ngadaltë me pak pana për embëlsira.
Rrahim panën e mbetur për 2-3 minuta (jo plotësisht) dhe ja shtojmë kremit mësipër. Shtojmë edhe xhelatinën e shkrirë dhe e përziejmë mirë. E hedhim sipër bazës me biskota dhe e fusim në frigorifer për të paktën dy orë.
Formojmë shtresën e tretë duke vendosur sërisht fletët e xhelatinës në pak ujë të ftohtë që të zbuten. Në një tigan të vogël hedhim luleshtrydhet në copa bashkë me lëngun e 1/2 limoni jeshil dhe sheqerin pluhur (nuk shtojmë fare ujë). I vendosim në zjarr të ngadaltë derisa luleshtrydhet të zbuten duke i përzierë herë pas here. Shtojmë xhelatinën e shtrydhur mirë me dorë dhe të gjithë salcën me luleshtrydhe e kalojmë në blender duke e reduktuar në purè. E hedhim sipër tortës duke formuar kështu shtrësën e fundit. E rivendosim në frigorifer per 2-3 orë përpara se ta konsumojmë.
E heqim me shumë kujdes nga forma e saj, e zbukurojmë sipas dëshirës me luleshtrydhe dhe limon jeshil dhe e shërbejmë/ unegatuaj.com