Zbutja e masave kufizuese jep efektet e para në vendet europiane. Rifitimi i lirive të humbura edhe pse në një masë më të reduktuar, ka rritur shifrat ditore të pandemisë koronavirus.
Ministria gjermane e Shëndetësisë po e merr seriozisht këtë rritje të nivelit të përhapjes të Covid-19 në vend edhe pse zyrtarët nënvizojnë se kjo nuk do të thotë se situata nuk është nën kontroll.
Duke ditur se procesi i rikthimit të jetës sociale dhe ekonomike mund të zhbëhet në çdo moment, kancelarja, Angela Merkel iu bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e vendosura.
“Është shumë e rëndësishme të tërheq sërish vëmendjen për faktin se po hyjmë në një fazë të re të pandemisë dhe për këtë do të jetë e nevojshme, që bashkë me zbutjen e masave, të sigurohemi që njerëzit të zbatojnë rregullat bazë; të ruajnë distancën, të mbulojnë gojën dhe hundën dhe të kujdesen për njëri-tjetrin”, u shpreh Merkel.
Italia përballet me presionin gjithnjë e në rritje për lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve, ndërsa ka një rënie të numrit të viktimave ditore dhe rasteve të reja. Rajonet kërkojnë zbutje të mëtejshme të masave mes paralajmërimit se 270 mijë biznese dhe kompani rrezikojnë të mbyllen. Më 18 maj do të zbuten kufizimet në mënyrë të diferencuar mes rajoneve, por Italia përballet me një mungesë të theksuar maskash mbrojtëse.
Franca është një ndër shtetet europiane që rifitoi liritë e humbura nga pandemia, duke hapur shkollat, dyqanet e veshjeve ato të luleve, libraritë e sallonet e bukurisë. Shumica e bizneseve u hapën të hënën edhe në Belgjikë, Vendet e Ulëta, Çeki dhe Zvicër.
Ndërkohë, në disa rajone të Spanjës, pa përfshirë Madridin dhe Barcelonën grumbullimet deri në 10 persona do të lejohen, dhe baret e restorantet në ambiente të hapura do të mund të presin klientë. Kriza shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm në Spanjë, me numrin e viktimave ditore nën 130.