Takime teke për klubet shqiptare në Europë

0

Ditën e sotme UEFA ka mbajtur një video-konferencë ku janë marrë vendime të rëndësishme për sa i përket vazhdimit të kompeticioneve europiane dhe jo vetëm.

Gjithashtu është vendosur se çfarë do të ndodhë edhe me ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në Kupat e Europës. Ndeshjet kualifikuese të skuadrave shqiptare në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës do të luhen me ndeshje teke, në ndryshim nga më parë kur luheshin me sistem vajtje-ardhje.

Përjashtim këtu bën vetëm “play-off” i Ligës së Kampioneve, që do të jetë me sistem vajtje-ardhje. Shorti do të jetë ai që do të vendosë se kush skuadër do të luajë në stadiumin e tij ndeshjen teke.

Njoftimi i FSHF:

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u mblodh sot përmes një video-konference dhe mori disa vendime në lidhje me rregulloret, formatin, kalendarin dhe vendet se ku do të zhvillohen ndeshjet e klubeve dhe ekipeve kombëtare për kompeticionet e UEFA-s.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s mori pjesë në këtë takim, ku u diskutuan shumë çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me ecurinë e kompeticioneve kontinentale. Gjatë mbledhjes Presidenti Duka shprehu kënaqësinë që më në fund futbolli europian po rifillon pas një ndërprerje të gjatë.

Duke komentuar vendimet, Presidenti i UEFA-s, Aleksander ?eferin, tha: “Jam i kënaqur që jemi në gjendje të rifillojmë pothuajse të gjitha kompeticionet tona. Jam i sigurt se nuk do të duhet të vuajmë mungesën e tifozëve për një kohë të gjatë dhe ata do të lejohen në stadiume së shpejti. UEFA mori një vendim të guximshëm kur vendosi të shtyhej ‘EURO 2020’. Por duke bërë këtë, ne krijuam hapësirën e duhur që kampionatet vendase të klubeve në të gjithë kontinentin të rifillojnë, aty ku është e mundur, dhe të mbyllin sezonin.

Ndërsa loja e futbollit ka hasur vështirësi të mëdha si rezultat i pandemisë, ato goditje do të kishin qenë më të forta nëse nuk do të kishim treguar lidership që në ditët të para. Komuniteti i futbollit ka punuar së bashku dhe ka treguar unitet të jashtëzakonshëm gjatë kësaj krize të paprecedentë. Falënderoj FIFA-n, konfederatat partnere, federatat, klubet, ligat, lojtarët dhe autoritetet përkatëse për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm dhe jam i bindur që do të dalim nga kjo krizë më e fortë dhe me lidhje më të ngushta se kurrë më parë”.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s miratoi parimet kryesore të protokollit mjekësor të UEFA-s dhe udhëzimet e hollësishme do të finalizohen gjatë javëve të ardhshme për të siguruar që të vendoset një plan i plotë sanitar për të mbrojtur shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve në ndeshjet e UEFA-s kur të rinisin garat. UEFA do të vlerësojë rregullisht situatën në të gjithë kontinentin dhe do të ndërlidhet me autoritetet lokale për të parë kur tifozët do të mund të kthehen në stadiume.

Sa i përket Champions League 2019-2020, KE vendosi që çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja do të luhen si një turne në formatin “Final 8”. Këto faza të mbetura do të luhen me ndeshje teke, të gjitha në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, ku ofrohen dy stadiume një një distancë shumë të afërt nga njëri-tjetri, mes datave midis 12 dhe 23 gusht 2020.

Çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalja e “Europa League” 2019/20 do të luhen gjithashtu në formatin “Final 8” me ndeshje teke në Këln, Duisburg, Dyseldorf dhe Gelsenkirshen mes datave 10 dhe 21 gusht.

Sezoni i ri – Kompeticionet e UEFA-s në nivel klubesh për sezonin 2020-2021, UEFA Champions League, UEFA Europa League, UEFA Women’s Champions League dhe UEFA Youth League nuk janë të prekur nga kalendari i ri që sot është prezantuar. Afati përfundimtar për federatat europiane për të dorëzuar emrat e skuadrave që do të marrin pjesë në kompeticionet e sezonit të ardhshëm do të jetë data 3 gusht për UEFA Champions League dhe UEFA Europa League, ndërkohë që në 10 gusht duhet të dorëzohet emri i skuadrës pjesëmarrëse në UEFA Women’s Champions League.

Ndeshjet kualifikuese të skuadrave shqiptare në UEFA Champions League dhe UEFA Europa League do të luhet me ndeshje teke në ndryshim nga më parë kur luheshin me sistem vajtje-ardhje, me përjashtimin e vetëm për play-off të UEFA Champions League që do të mbetet me sistemin vajtje-ardhje. Shorti do të jetë ai që do të vendosë se kush skuadër do të luajë në stadiumin e tij ndeshjen teke.

Kalendari i ri i fazës kualifikuese dhe fazës së grupeve për sezonin 2020-2021 është si më poshtë:

UEFA Champions League 2020-2021

Raundi paraeliminator: 8 dhe 11 gusht

Raundi i parë kualifikues: 18-19 gusht

Raundi i dytë kualifikues: 25-26 gusht

Raundi i tretë kualifikues: 15-16 shtator

Play-offs: 22/23 dhe 29/30 shtator

Faza në grupe: 20/21 dhe 27/28 tetor, 3 dhe 24/25 nëntor, 1 dhe 8/9 dhjetor

UEFA Europa League 2020/2021

Raundi paraeliminator: 20 gusht

Raundi parë eliminator: 27 gusht

Raundi dytë eliminator: 17 shtator

Raundi tretë eliminator: 24 shtator

Play-off: 1 tetor

Faza në grupe: 22 dhe 29 tetor, 5 dhe 6 nëntor, 3 dhe 10 dhjetor

Shorti për fazën në grupe të sezonit 2020/2021 i UEFA Champions League dhe UEFA Europa League do të zhvillohet në Athinë në 1 dhe 2 tetor 2020.

Ndeshjet e Nations League dhe Play-off i Euro 2020

Ndeshjet e grupeve për UEFA Nations League 2020-2021 do të luhen në këto data: 3/4/5 dhe 6/7/8 shtator; 10/11 dhe 13/14 tetor; 14/15 dhe 17/18 nëntor 2020.

Ndeshjet miqësore do të luhen në 7/8 tetor dhe 11/12 nëntor.

Ndeshjet e play-off të Euro 2020 do të luhen në 8 tetor dhe 12 nëntor

UEFA Futsal Euro 2022 – Play-off kualifikuese do të mbahen ndërmjet 2 dhe 11 nëntor, ndërkohë që faza në grupe dhe play-offet do të luhen ndërmjet 6 dhjetorit 2020 dhe 17 nëntorit 2021. Në këto raunde merr pjesë edhe ekipi kombëtar shqiptar i drejtuar nga Erind Resuli.

Presidenti Duka do të jetë i impenjuar sërish nesër paradite në vazhdimin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku do të diskutohen vendime të tjera.

Artikulli i mëparshëmKingslej Koman i pandalshëm, 8 tituj kampionë në 8 vite! Dhe është vetëm 24 vjeç…
Artikulli i radhësDW: Ndalohet çdo grumbullim, gjoba dhe burg për shkelësit! Administrata mbyllet në shtëpi