Duke folur për vaksinën kineze Sinovac, mjeku infeksionist Gent Stroni shpreh bindjen se kjo nuk duhet t’i pengojë qytetarët për t’u vaksinuar, pasi rezulton të jetë shumë efektive.
Sipas tij marrja e kësaj doze, shmang me 100% fatalitetet, edhe në rast infektimi. Mjeku apelon që vaksinimi të bëhet në mënyrë të kombinuar edhe me moshat e reja, pasi edhe këta të fundit kanë shfaqur komplikacione si pasojë e Covid.
“Ne do të duhet që t’i miksojmë, jo vetëm, por të bëhet në masë vaksinimi dhe të përfitojmë të gjithë.”
Por a do të aplikohet vaksina anti-covid çdo vit si ajo e gripit?
“Duke parë titrin që fillon dhe bie, si gjatë ashtu edhe pas sëmundjes, edhe vaksina nuk mund të mbajë një situatë stabël të antitrupave për një kohë shumë të gjatë. Ose do të duhet që të bëhet një dozë booster ose do të duhet të rivaksioneht. Me gjasa do të kemi mundësinë që të bashkëjetojmë me sëmundjen.”
Për sa i përket efekteve anësore nga vaksinat, mjeku tregon eksperiencën e tij personale pas marrjes së dozës së dytë të vaksinës Pfizer. Simptomat i përjetoi shtatë ditë më vonë.
“Ditën e shtatë unë kam pasur një situatë të imitimit të një viroze që kam pasur tështima, hundë të zëna, por jo temperaturë. Kurse ditën e dytë kam pasur dhimbje të krahut.”