Gjykata vendos për fatin e Mario Përlleshajt, 14-vjeçarit që vrau Martin Canin: A do të kalojë çështja për gjykim?

0

Gjykata e Tiranës pritet të marrë vendimin nëse do të kalojë për gjykim çështjen penale ndaj autorit të dyshuar të vrasjes së Martin Canit, ngjarje që tronditi opinionin publik në nëntor 2024.

14-vjeçari Martin Cani u vra mizorisht me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij Mario Përlleshaj, pas një konflikti të ndodhur fillimisht në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” dhe që u përshkallëzua jashtë saj.

Në seancën e sotme, të mbajtur në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, janë paraqitur prindërit e viktimës, Engjell dhe Florina Cani, së bashku me prindërit e shokut të plagosur, i cili ndodhej me Martinin në momentin tragjik.

Autori i dyshuar, Mario Përlleshaj, do të dëgjohet për herë të parë në seancë paraprake, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për “vrasje në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”.

Një sistem arsimor që po dështon?

Vrasja e Martin Canit nxori në pah mosfunksionimin e sistemit arsimor, mungesën e ndërhyrjes për menaxhimin e konflikteve mes të miturve dhe dështimin e strukturave mbështetëse psikologjike në shkolla.

Familjarët e viktimës, në deklarata të mëparshme, kanë theksuar se nuk e fajësojnë TikTok-un, por sistemin arsimor që ka dështuar të parandalojë sjelljet e dhunshme dhe mungesën e etikës mes fëmijëve.

Cili është vendimi që pritet?

Në fund të seancës, pritet që gjyqtari i çështjes të vendosë kalimin për gjykim të dosjes penale ose kthimin e saj për plotësim hetimesh, në varësi të përmbajtjes së provave dhe dëshmive të paraqitura.


Artikulli i mëparshëmBerisha akuzon Edi Ramën dhe Vilma Nushin për grabitjen e pronave publike në jug
Artikulli i radhësArrestohet i riu në Tiranë: Mbajti pa dëshirë 15-vjeçaren dhe dyshohet për ngacmim seksual