
LEZHË – Kryesocialisti Edi Rama përmbylli pasditen e sotme fushatën në qytetin e Lezhës me një tjetër deklaratë të fortë ndaj partive të reja dhe kundërshtarëve të tij politikë.
Në një fjalim të ngarkuar me sulme personale dhe ironizime, Rama u shpreh se ata që votojnë për partitë e reja nuk po kërkojnë të realizojnë ndryshim, por veprojnë thjesht “nga inati” ndaj partive të mëdha.
“Kush hedh vota pas atyre partive të reja që të re kanë vetëm moshën, nuk po hedh vota për të realizuar diçka, e bëjnë nga inati për partitë e mëdha,” deklaroi Rama, duke shënjestruar në mënyrë të drejtpërdrejtë kandidatin Agron Shehaj, të cilin e quajti “ballist” dhe shtoi:
“Po ai Agron Shehaj, një ballist është, po kur je mes bufit thua hajde t’ja japim këtij.”
Kreu i PS-së e përshkroi klasën e re politike si një grup me “interesa të vogla njerëzish me gojën e madhe”, duke theksuar se vota për ta është votë për zhurmë, jo për zhvillim.
Negociatat dhe 16 maji
Rama i kujtoi elektoratit se është qeveria e tij që ka ulur Shqipërinë në tryezën e negociatave me BE dhe shprehu bindjen se do të jetë po ai që do t’i çojë ato drejt përfundimit.
“Shqipëria duhet të ulet në negociata, e kemi ulur ne dhe do t’i mbyllim ne. Thonë ca pse se bën bufi. E imagjinoni ju t’i çoni bufin atyre në Europë se çfarë bëhet?”
Ai paralajmëroi gjithashtu për rëndësinë simbolike të datës 16 maj, kur pritet që “e gjithë Europa të vijë tek këmbët e Skënderbeut”, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian që do mbahet në Tiranë.
Pse e quajti Rama Agron Shehajn “ballist”?
Për të krijuar një përqasje negative mes figurës së Shehajt dhe një ideologjie të kaluar, si dhe për ta paraqitur si të huaj në spektrin e majtë politik shqiptar.
Çfarë mesazhi përçoi Rama për partitë e reja?
Ai i akuzoi si të pavlera, të krijuara nga interesa të vogla personale dhe që ekzistojnë vetëm për inat ndaj PS-së dhe PD-së.
Çfarë rëndësie ka 16 maji sipas Ramës?
Sipas tij, është një moment i madh diplomatik për Shqipërinë, ku Europa do të vijë në Tiranë në Samitin e Komunitetit Politik Europian.
Si përpiqet Rama të pozicionohet në këtë fushatë?
Si lider i stabilitetit, zhvillimit europian dhe përfaqësuesi i vetëm serioz për negociatat me BE-në, duke përçmuar alternativat e reja si të padobishme.